Ish-oficeri hyn në çerdhe dhe qëllon pa mëshirë drejt fëmijëve dhe të rriturve, të paktën 34 viktima në Tajlandë

06/10/2022 10:22

Një sulm amoku: kështu e përshkruajnë mediet në Tajlandë ngjarjen që tronditi vendin e ka pati jehonë të menjëhershme edhe nëpër botë: një ish polici 34-vjeçar ka hyrë i armatosur në një çerdhe, ku ka nisur të hapë zjarr e të godasë edhe me thikë, duke lënë pas një bilanc tragjik viktimash.

31 janë të vdekurit, mes tyre edhe shumë fëmijë. Qindra forca policie e rrethuan me urgjencë zonën e Nong Bua Lamphu. I gjendur duket pa rrugë shpëtimi, burri në fund, ka vrarë veten. Policia tajlandeze njoftoi se autori i ngjarjes shokuese është identifikuar si Panya Kamrab.

Ai ishte shkarkuar vitin që shkoi nga radhët e forcave të rendit. Sipas të dhënave paraprake, Kamrab ka sulmuar me armë zjarri e me thikë si fëmijët, ashtu edhe prindërit e tyre që ndodheshin në çerdhe në ato momente. Nuk është ende i qartë motivi i këtij krimi të urryer.

Vrasjet masive janë të rralla në Tajlandë. Më e fundit prej tyre u shënua në 2020-tën, kur një ushtar vrau 21 persona e plagosi dhjetëra të tjerë në qytetin Nakon Raçasima.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel