Dëshmia e vëllezërve Beqiraj çon në pranga 14 kriminelë/ Përplasja me “Rrumin e Shijakut” zbulohen detaje nga atentatet në vend

04/10/2022 14:00
Foto ilustruese

Dëshmia në polici e vëllezërve Indrit dhe Gentian Beqiraj, të cilët u sulmuan para dy ditësh në autostradën Durrës-Tiranë ka zbuluar detaje të disa prej ngjarjeve kriminale të ndodhura në vend.

Gjatë operacionit policor të koduar “Porositësi” u arrestuan 14 persona dhe u shpallën në kërkim 5 të tjerë. Sipas hetimeve, personat e arrestuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe dy vëllezërit kanë vepruar në formën e një grupi të strukturuar kriminal që prej vitit 2021 dhe deri tani.

Vëllezërit rrëfyen në polici se dyshojnë se janë sulmuar nga Pëllumb Muharremi i njohur si “Rrumi i Shijakut”, pasi ata ishin paguar dhe po e vëzhgonin për ta vrarë.

Ata kanë rrëfyer se janë porositur për të vrarë edhe Arben Mërkurin,  njohur në zonë me pseudonimin Maneci edhe një person tjetër dhe nipërit e tij në Tiranë, ngjarje e cila nuk ndodhi, pasi më 4 janar u ngatërrua objektivi dhe përfundoi i vdekur Erjon Çela e u plagosën 4 të tjerë.

Sipas vëllezërve, porositësi i dy vrasjeve të mësipërme është Kasander Noga, i cili aktualisht është i arrestuar në Belgjikë. Noga ka porositur shtetasin K. Z., i cili ka paguar dy vëllezërit për kryerjen e vrasjeve.

Për realizimin e vrasjes, ata janë paguar paraprakisht me 6000 euro. Fillimisht ata kanë siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e vrasjes, si armë zjarri, automjet, motoçikletë, si dhe kanë marrë me qira një banesë, në afërsi të objektivit.

Kasander Noga

“Shtetasit G. B. dhe I. B., në periudha të ndryshme kohore, janë kontaktuar nga shtetasit K. Z. alias K. S. dhe I. F., për llogari të shtetasit K. N., kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro, për të kryer vrasjen e një shtetasi dhe të nipërve të tij, në qytetin e Tiranës, si dhe për vrasjen e shtetasit A. M., në qytetin e Durrësit. Për realizimin e kësaj veprimtarie, 2 vëllezërit janë paguar paraprakisht me një shumë prej 6000 eurosh. Fillimisht ata kanë siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e vrasjes, si armë zjarri, automjet, motoçikletë, si dhe kanë marrë me qira një banesë, në afërsi të objektivit. Në lidhje me objektivin e parë për të cilin ishte marrë porosia, për një shtetas dhe nipërit e tij, ishte planifikuar që vrasja të behej në zonën e Don Boskos, pasi ky shtetas frekuentonte një lokal të caktuar në këtë zonë. Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, shtetasit G. B. dhe I. B. nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje.

48-vjeçari Merkuri u vra nga persona ende të pa identifikuar të cilët e qëlluan për vdekje në maj të këtij viti.

“Vrasja e këtij shtetasi nuk u krye për shkak të ngatërrimit të objektivit dhe për pasojë, më datë 04.01.2022 u vra shtetasi A. Ç. alias E. Ç. dhe u plagosën 4 shtetas të tjerë. Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi K. Z., i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, për t’u larguar jashtë shtetit. Në lidhje me planifikimin dhe marrjen e porosisë për vrasjen e shtetasit A. M., nga hetimet e thelluara rezultoi se 2 vëllezërit kishin siguruar kushtet për kryerjen e vrasjes së tij. Dy vëllezërit ishin porositur nga shtetasi K. Z. dhe kjo vrasje ka ndodhur pak kohë më vonë, por ende nuk është zbardhur plotësisht se nga kush është kryer kjo vrasje. Nga hetimet e thelluara rezulton se prositësi i dy vrasjeve të mësipërme është shtetasi K. N., i cili aktualisht është i arrestuar në Belgjikë. Ky shtetas ka porositur shtetasin K. Z., i cili ka paguar dy vëllezërit, për krijimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve”, sipas policisë.

Gjithashtu vëllezërit janë kontaktuar dhe porositur edhe nga shtetasi F. B., që kundrejt pagesës të kryenin edhe një vrasje tjetër, atë të shtetasve S. Z. dhe I. H.

“Gjithashtu, dy vëllezërit janë kontaktuar dhe porositur edhe nga shtetasi F. B., që kundrejt pagesës të kryenin vrasjen e shtetasve S. Z. dhe I. H. Për këtë veprimtari kriminale, vëllezërit kanë marrë një shumë paraprake prej 3500 eurosh dhe kanë siguruar mjetet për realizimin e kësaj ngarjeje dhe konkretisht 4 kg eksploziv, si dhe një armë zjarri automatik, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë datës 3 tetor 2022”, sipas policisë.

“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 1 kallashnikov, municion luftarak, 4 kilogramë eksploziv, fitil zjarrpërcjellës, detonator elektrik për shpërthime në distancë, 4 automjete, nga të cilat 2 blinduara, 2 motoçikleta, lëndë narkotike kokainë, 17 aparate celulare, 3050 euro, 2 armë gjahu shotgan, 1 thikë, sprajt neutralizues, 4 pistoleta sportive dhe 1 palë targa”, sipas policisë.

“Në kuadër të veprimeve të thelluara të kryera në vijimësi, si dhe atyre të kryera gjatë dy ditëve të fundit, nisur edhe nga konflikti mes 2 vëllezërve me disa persona të tjerë, u bë e mundur zbardhja e disa ngjarjeve kriminale, si dhe qëllimi i konflikit të ndodhur më datë 02.10.2022, në autostradën Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur “Koxhas”, ku disa persona me automjete kanë goditur motomjetin e dy vellezërve G. B. dhe I. B. dhe më pas kanë marrë me vete, njërin prej tyre, për disa minuta. Në sajë të veprimeve të shpejta, reagimit dhe presionit policor, personat që kishin marrë në automjet shtetasin I. B., në pamundësi për të dalë me automjet nga perimetri i rrethimit të Policisë, e kanë lënë në rrugë shtetasin I. B., kanë braktisur automjetet dhe kanë mundur të largohen në këmbë”, sipas policisë.

Të arrestuarit:

1. G. B., 39 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;

2. I. B., 32 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;

3. F. B., 52 vjeç, banues në Durrës (punonjës i Policisë së Burgjeve, Durrës), për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;

4. P. H., 52 vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;

5. I. H., 42 vjeç, banues në Bulqizë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;

6. A. D., 43 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
7. F. M., 52 vjeç, banues në Sukth, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;

8. B. E., 51 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;

9. G. Sh., 50 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”;

10. K. D., 64 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”;

11. A. H., 38 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”;

12. F. H., 39 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”;

13. A. L., 32 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”, i dënuar më parë po për këtë vepër penale;

14. A. C., 43 vjeç, banues në Tiranë (ushtarak në repartin e Pezë Helmës, Tiranë), për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”;
Gjithashtu u referuan materialet shtesë në Prokurori, për shtetasin I. F., i arrestuar më parë në kuadër të operacionit “Golden Bullet”.
Në vijim të operacionit “Porositësi” u shpallën në kërkim shtetasit:

1. A. B., 51 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;

2. A. L. alias P. M., 49 vjeç, banues në Sukth, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;

3. D. F. alias D. M. alias D. P., 42 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;

4. A. S., 39 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale per kryerjen e vrasjes” e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;

5. K. Z. alias K. S., 23 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale ‘’Vrasja’’, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Aktualisht është në kërkim ndërkombëtar, për një tentativë vrasjeje në Belgjikë.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për shtetasin K. N., aktualisht i arrestuar në Belgjikë.

Vëllezërit Beqiraj

Si ndodhi ngjarja në autostradën Tiranë-Durrës?

Burime për Top Channel bënë me dije se Indrit Beqiraj teksa lëvizte më një motomjet tip “Piaggio” së bashku me të vëllanë Gentian Beqirajn më 2 tetor është përplasur me një makinë në të cilën ndodheshin dy persona.

Pas aksidentit Beqiraj dhe dy personat e tjerë janë konfliktuar deri në përdorimin e dhunës fizike, ku më pas Beqiraj është marrë me dhunë në mjet e pas disa metrash është lënë i lirë. Kujtojmë se vëllezërit Beqiraj janë me precedentë të mëparshëm penal për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje. Menjëherë pas ngjarjes, Beqiraj ka raportuar situatën në polici.

Kujtojmë se Durrësi është një prej zonave më të nxehta në vendin tonë për ngjarje kriminale.

“Rrumi i Shijakut” dhe ish-prokurori Arjan Ndoja

Kush është “Rrumi i Shijakut”?

Pëllumb Muharremi i njohur edhe me emrin tjetër Aleksandër Laho njihet si “Rrumi i Shijakut” është një emër i njohur për policinë. Ai dyshohet se ndodhej në makinë me prokurorin Arjan Ndoja ditën që iu bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit në Durrës në nëntor të 2019-ës.  Ajo që ngjalli dyshime, është fakti se si një person me precedentë penalë, i lakuar gjerësisht për përplasje për çështje pronësie, ishte mik i një prokurori dhe për më tepër udhëtonte në një makinë me të. Në shtator të vitit 2016 ai u shpall në kërkim nga policia për rrahjen e biznesmenit libanez Faadi Mitri në sy të gruas dhe vajzës së tij.

Pamje nga vendngjarja e vitit 2019

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e largoi nga drejtësia në mars të këtij viti prokurorin e Durrësit Arjan Ndoja, i cili iu nënshtrua procesit vetëm për dy kritere. Si provë gjatë seancës së 29 prillit iu soll emri i Aleksandër Lahos që gjendej në të njëjtën makinë me të cilën po udhëtonte në 2019 Ndoja, kur ju bë atentat dhe mbeti i plagosur shoferi i tij Andi Maloku.

Në seancë Arjan Ndoja kundërshtoi duke kërkuar prova dhe përgjime që vërtetojnë kontaktet me njerëz të krimit, mbasi për Rrumin prokurori tha se nuk kishte informacione për të kaluarën e tij. Ndoja akuzoi se prej makinës nga ku doli i plagosur nuk u gjetën dosje të zhdukura, por dosje private të një avokati, për të cilat i kishte treguar shoferi që u vra në atentat. Më herët gjatë parashtrimit shkresor prokurori tha se ky atentat erdhi për shkak te presioneve të ekzekutivit.

FOTO GALERI
1/15
Indrit Beqiraj

Top Channel