Pas 5 seanca shtyrje, sot është zhvilluar në Gjykatën e Elbasanit seanca për dërgimin e çështjes në gjyq në ngarkim të Arbër Paplekajt dhe efektivëve të policisë të përfshirë në ngjarjen e 21 Prillit 2021 në Elbasan ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Për më shumë se 4 orë, avokatët paraqitën kërkesat e tyre, mes të cilave avokati i Paplekajt kërkoi rihetim të dosjes dhe shqyrtimin e disa akteve të ekspertizës.

Mendohet se kërkesa e Paplekajt për rishikimin e akteve të ekspertizës ka të bëjë me kërkesën e tij të menjëhershme, të refuzuar nga gjykata për ndryshimin e akuzës, nga “vrasje me dashje”, në “vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes”.

Këtë herë ka qenë Prokuroria ajo që ka marrë kohë për të shqyrtuar kërkesat e avokatëve ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet në 3 tetor në mesditë. Në të njëjtën dosje shqyrtohet edhe akuza ndaj punonjësve të policisë të akuzuar për “shpërdorim detyre”.

Ngjarja e 21 Prillit 2021 ishte një ngjarje me motive të qarta politike vetëm disa ditë para zgjedhjeve parlamentare, ku përplasja mes dy grupimeve politike përfundoi me vrasjen e militantit të PS Pjerin Xhuvani.

Arbër Papleka, ish efektiv RENEA-s, pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës në PD dhe shoqërues i Drejtuesit Politik të PD në Elbasan në atë kohë, Gazmend Bardhi, u vetëdorëzua në polici si autor i vrasjes, sipas tij në kushtet e vetëmbrojtjes.

Si ndodhi vrasja? 

Në 21 prill të vitit 2021, gjatë një përplasje me armë mes dy grupimeve politike mbeti i vrarë mjeku Pjerin Xhuvani, në atë kohë eksponent i PS-së, ndërsa mbetën të plagosur 4 persona të tjerë mes të cilëve edhe një punonjëse policie.

Pas ngjarjes, në polici u vetë-dorëzua si autor i krimit Arbër Paplekaj, shoqërues i drejtues politik të PD të Elbasanit në atë kohë Gazmend Bardhi.

Paplekaj, ish-efektiv i Reneas qarkullonte në Elbasan i armatosur si pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës, strukturë e cila ishte ngritur nga PD në të gjithë vendin.

Top Channel