Edhe ditëlindjen e 85 e kishte festuar në skenë. Artisti Et’hem Qerimaj, babi i violinës shqiptare, mbylli sytë sot në moshën 88-vjeçare.

Artisti la pas një dinasti të tërë muzikore që do të mbijetojë gjatë e merr me vete duartrokitjet e shumë brezave që e kanë ndjekur në skenë lojën e tij në muzikë. Plot nëntë artistë dhe tre breza. Sigurisht ai dallohet për tingujt e pashembullt të muzikës së Tiranës.

Por dhe të të gjitha trevave. Mjeshtri i Madh e konsideroi skenën jetën e tij. Dhe mikja e tij më e ngushtë mbeti deri në fund violina.

Që në moshën 12-vjeçare artisti kishte një lidhje të veçantë me instrumentat. Në Përmet, ku ai është rritur dëgjonte tingujt e klarinetës dhe violinës.

Ai lindi në një familje përmetare, këngët  e zonës do t’i mësonte nga i ati i cili ftohej të bënte muzikë bashkë me Et’hemin e vogël, asokohe me një mandolinë. Mësimet e violinës do t’i merrte në Liceun artistik me pedagogun e mirënjohur Islam Petrela.

Aty do të spikaste talenti i tij i fuqishëm dhe do të ftohej të punonte në orkestrën e TOB vetëm në pak vite studimi në violinë. Më pas jeta dhe karriera e tij artistike do të luhatej sa nga Opera, apo ansambli i shtetit.

Sa nga ansambli i ushtrisë ku do të qëndronte gjatë deri në dalje në pension, me lojën e tij ekspresive, të një kalibri shumë të larte ai do të çonte në këmbë si publikun tonë ashtu edhe atë ndërkombëtar.

Turnetë në Evropë në festivale të ndryshme folku apo edhe turi i famshëm i ansamblit për kohën në Kinë do vendoste Et’hemin gjithmonë në qendër të suksesit të madh.

Më vonë artisti do të shndërrohej në yll të interpretimit të muzikës shqiptare dhe mjeshtër i madh i kabasë.

Loja e tij u karakterizua nga ndjeshmëria e lartë artistike, vrulli, pasioni, por edhe finesa, butësia.

Et’hemi ishte një shpirt i veçantë, fisnik, i mirësjellshëm nga të gjithë.

Top Channel