Trump nën hetim/ FBI bastis resortin e ish-presidentit në Florida, dyshohet ka marrë dokumente nga Shtëpia e Bardhë

09/08/2022 08:19

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se agjentë të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) kanë “bastisur” shtëpinë e tij në Florida.

Trump ka thënë përmes një deklarate se shtëpia e tij në Mar-a-Lago është “pushtuar nga një grup i madh i agjentëve të FBI-së”.

Ai e quajti këtë një sulm politik, duke theksuar se kundërshtarët e tij nuk duan që të kandidojë për president në vitin 2024 dhe po  bëjnë gjithçka për të ndaluar republikanët dhe konservatorët në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas tij, është arsyeja pse agjentët e FBI-së bastisën shtëpinë e tij në Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida, të hënën edhe pse ai tha se kishte “punuar dhe bashkëpunuar me agjencitë përkatëse qeveritare”.

Avokatja e Trump, Christina Bobb, konfirmoi se FBI sekuestroi dokumente nga Mar-a-Lago në një deklaratë për CNN.

Bobb  ishte e pranishme gjatë kontrollit në rezidencën e Trump në Palm Beach.

Ky kërkim është raportuar të jetë i lidhur me disa hetime nëse Trump zotëron dokumente zyrtare.

Ky përshkallëzim dramatik i zyrtarëve për zbatim të ligjit, vjen teksa Trump përgatitet për garën e tretë presidenciale në zgjedhjet e vitit 2024.

Sipas rrjetit amerikan, CBS News, Trump ka qenë në  “Kullën Trump” në qytetin e Nju Jorkut, në kohën kur kanë ndodhur bastisjet.

“Këto janë kohë të errëta për kombin tonë. Bastisjet e paparalajmëruara në shtëpinë time, nuk kanë qenë as të nevojshme, as të përshtatshme”, është thënë në deklaratën e Trumpit.

Trump ka thënë se këto veprime janë të barasvlefshme me “sjellje të pahijshme prokuroriale” dhe “armatim të sistemit të drejtësisë”, për të parandaluar atë që të garojë sërish për president.

“Një sulm i tillë mund të ndodhte vetëm në shtetet e botës së tretë. ,Fatkeqësisht, Amerika është bërë një prej këtyre shteteve, e korruptuar në nivele që nuk i kemi parë më herët. Ata kanë hapur edhe kasafortën time”, ka thënë Trump.

Eric Trump, djali i Trumpit, ka thënë për kanalin Fox News, se kërkimet e FBI-së kanë qenë të lidhura me Arkivat Shtetërore.

Në muajin shkurt, Arkivat Shtetërore, një agjenci qeveritare në SHBA që menaxhon ruajtjen e dokumenteve presidenciale, i ka kërkuar sistemit të drejtësisë të hetojë Trumpin për mënyrën si i ka menaxhuar dokumentet zyrtare.

Arkivat Kombëtare kanë thënë se kanë siguruar 15 kuti nga shtëpia e Trumpit, disa prej të cilave kanë pasur dokumente të klasifikuara.

Shtëpia e Trumpit në Florida.
Shtëpia e Trumpit në Florida.

Sipas ligjit, presidentët amerikanë duhet të transferojnë të gjitha dokumentet e tyre, përfshirë emailat, në Arkivat Shtetërore.

Mirëpo disa zyrtarë besojnë se ish-presidenti Trump ka asgjësuar shumë dokumente. Arkivat kanë thënë se disa dokumente janë kthyer në gjendje jo të mirë dhe është dashur të ngjiten me njëra-tjetrën. Trump ka hedhur poshtë raportimet për diçka të tillë.

Një këshilltar i lartë i Trumpit ka thënë për rrjetin CBS, se agjentët federalë kanë kërkuar dokumente presidenciale në Mar-a-Lago.

“Ka të bëjë me Aktin e dokumenteve presidenciale”, ka thënë një burim i Trumpit, që është pajtuar të deklarohet në kushte anonime.

“A keni dëgjuar ndonjëherë për bastisje për diçka të tillë?” Sipas këtij burimi, “agjentët e FBI-së janë larguar me pak gjëra”.

Për një kërkim të tillë nga agjentët, duhet të ketë vendim të gjyqtarit.

Një zyrtar, i paidentifikuar ka thënë se Shërbimi Sekret është njoftuar pak pasi është marrë vendimi për kërkime, dhe se agjentët që mbrojnë ish-presidentin, e kanë ndihmuar FBI-në.

Sipas këtij burimi, disa kuti janë nxjerrë jashtë shtëpisë, asgjë nuk është dëmtuar dhe se kërkimet kanë mbaruar pasditen e së hënës.

Një zyrtar ka thënë se Shtëpia e Bardhë nuk ka qenë e informuar për kërkime të tilla nga FBI-ja.

“Disa e kanë marrë vesh nga mediat, disa nga mediat sociale”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se është duke kufizuar komunikimet me zyrtarë të lartë të departamenteve të drejtësisë për të shmangur atë që mund të konsiderohet presion politik.

Presidenti amerikan, Joe Biden ishte zotuar përgjatë fushatës presidenciale se do të qëndronte larg çështjeve të drejtësisë.

Përveç çështjes me Arkivat Shtetërore, Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA, është duke hetuar veprimet e Trumpit lidhur me trazirat e 6 janarit të vitit 2021, kur një mori e mbështetësve të tij kanë hyrë në ndërtesën e Kongresit, teksa ligjvënësit ishin përgatitur për të certifikuar fitoren e Bidenit në zgjedhje.

Një vit nga sulmi ndaj Kongresit: Çfarë është bërë në SHBA?

Departamenti Amerikan i Drejtësisë është duke hetuar nëse Trump ka sfiduar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, ka thënë se synon të mbajë përgjegjës secilin.

Një prokuror në qarkun Fulton në Xhorxhia, është duke hetuar po ashtu nëse Trump dhe mbështetësit e tij, kanë tentuar të ndërhyjnë në rezultatet zgjedhore të vitit 2020.

Top Channel