Detaje të reja kanë dalë në dritë nga tjetërsimi i pronës në qendër të Tiranës, ku u pezulluan nga detyra shtatë zyrtarë të Kadastrës së Tiranës me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Ata akuzohen se tjetërsuan pronën në bashkëpunim me dy vëllezërit Endri dhe Elvis Turtulli, të cilët janë nën hetim.

Sipas dosjes së siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, nga tërësia e hetimeve rezulton se shtetasja Vojsava Kruja, është mashtruar nga dy djemtë e saj duke iu zhveshur dhe duke iu tjetërsuar prona Hotel “Europa” e ndodhur në Rrugën “Reshit Çollaku”.

Procesi i zhveshjes nga prona dhe i tjetërsimit të saj fillon me deklarimin e djemve të saj, Elvis dhe Endri Turtulli në zyrën e ALUIZNIT se ky objekt është ndërtim pa leje i ndërtuar në vitin 1998, fakt ky jo i vërtetë, pasi në vitin 1995 ky objekt ka qenë i pajisur me certifikatë pronësie nga hipoteka në emër të ish-bashkëshortit të saj, shtetasit Beqir Turtulli.

Dy djemtë e saj, kanë deklaruar që objekti është ndërtuar në vitin 1998, kur mosha e tyre ka qenë njëri 18 dhe tjetri 16 vjeç. Në lidhje me tokën, kanë deklaruar se nuk dinë e kujt është, pasi është ndërtuar në truallin e familjes dhe është regjistruar me njohje fakti, sipas ligjeve të asaj periudhe.

Në bazë të këtyre deklarimeve të rreme, si përfundim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të pasurisë Tiranë, më 5.10.2015, është legalizuar ky objekt dhe janë pajisur me certifikatën e pronësisë djemtë e saj duke zhveshur nga pronësia nënën e tyre, në një kohë që ky objekt me Vendim Gjykate i kishte kaluar asaj në pronësi.

Ne lidhje me dokumentet e pronësisë mbi objektin, kallëzuesja deklaron se është zhdukur nga djemtë e saj në hipotekën e Tiranës.

Në fund të vitit 1998 ajo është divorcuar nga bashkëshorti i saj, Beqir Turtulli. Në vitin 1999 ka filluar në Gjykatën e Tiranës, procesin gjyqësor për pjestimin e pasurisë bashkëshortore, proces nga i cili përfitoi si pronë Hotel Europën, të cilin e ka përfunduar në 1.10.2003.

Këtë biznes nga viti 2005 deri në vitin 2010 e ka dhënë me qira, pasi në atë kohë fëmijët ishin te vegjël.

Në vitin 2010, pas përfundimit të kontratës së qirasë ka filluar ta administrojë vetë. Biznesi ka qenë i regjistruar me NIPT L11816016M, në emër të kallëzueses Vojsava Kruja.

Biznesin e ka administruar në emër të saj deri në vitin 2013. Pasi ka dalë në pension, ia ka kaluar ne emër te djalit Endri Turtulli, i cili në atë kohë, ishte papunë.

Gjatë gjithë kësaj kohe, ka punuar tek Hotel Europa, deri më 6.7.2020, kohë në të cilën ajo së bashku me djemtë e saj Elvis e Endri Turtulli, vendosen të shisnin një pjesë të objektit tek shtetasi Gert Velia, ky shok i ngushtë i djalit të saj.

Nga shuma e shitjes së kësaj pjese, ajo me djemtë e saj, ranë dakord, që të merrnin 1/3 pjesë secili. Djali i madh  ka marrë shumën e lekëve që i takonte nga shitja e pjesës së tij në vlerën 350 mijë euro, ndërsa shtetasi Gert Velia dhe djali i vogël Endri, i kanë kërkuar që pas restaurimit të hotelit që do te zgjaste mbi 1 vit, do t’i kthenin shumën 350 mijë euro.

Ajo sqaron se nga djemtë e saj, nuk ka marrë çdo muaj 500 euro, shumë e cila do t’i mundësonte pagimin e qirasë së shtëpisë. Ka kaq kohë që u kërkon djemve, detyrimin që ata i kanë, por ata jo vetëm që nuk i përgjigjen me kthimin e shumës, por nuk i përgjigjen as në telefon.

Kallëzuesja deklaron se të dy djemtë e saj, jo vetëm kanë falsifikuar dokumentet për të bërë tjetërsimin e pronës, por edhe e mashtrojnë duke mos i dhënë detyrimin që i takon.

Gjykata e Tiranës pezulloi nga detyra: Brisieda Baraj, Anisa Caka, Drilon Lleshi, Erjona Pemaj, Klajdi Dervishi, Genc Tufi dhe Elsa Sherja.

Kurse për Elvis Turtulli dhe Endri Turtulli rëndon vepra penale ‘‘Mashtrimi‘‘ kryer në bashkëpunim dhe u vendos masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Top Channel