Përmbysja e të drejtës së abortit, protesta në SHBA: Nis mbyllja e klinikave!

25/06/2022 09:46

 Pas vendimit të Gjykatës Supreme në SHBA për t`i dhënë fund mbrojtjes kushtetuese për abortin, klinikat e tij kanë nisur të mbyllen në disa shtete amerikane.

Shumica e tyre tashmë do të prezantojnë kufizime të reja në vazhdën e përmbysjes së vendimit historik të përpara 50 viteve për lejimin e kësaj procedure, në rastin e njohur si Roe kundër Wade. Presidenti Joe Biden e cilësoi të gabuar lëvizjen e Gjykatës së Lartë  dhe fajin për këtë situatë, e gjeti tek paraardhësi i tij.

“Ishin tre gjyqtarët e emëruar nga Donald Trumpi ata që ndikuan në marrjen e këtij vendimi duke përmbysur peshoren e drejtësisë e duke eleminuar një të drejtë themelore të grave në këtë vend. Mos u gaboni në gjykim, ky hap përbën kulmin e një vendimi të qëllimshëm. Ai përbën përmbushjen e “një ideologjie ekstreme dhe një gabim tragjik nga Gjykata e Lartë.”- tha Biden

Protesta të shumta shpërthyen në pjesë të ndryshme të vendit. Në Finiks të Arizonës, policia u detyrua të përdorte gaz lotsjellës, pasi tubuesit nisën të godisnin dyert e dritaret e institucioneve shtetërore. Në Los Anxheles, protestuesit kanë bllokuar për pak kohë trafikun në autostradë.

Një klinikë abortit në Arkansas i mbylli dyert për pacientët, e njëra prej tre qendrave te tilla në Neë Orleans të Luizianës, bëri të njëjtën gjë duke e detyruar stafin të shkojë në shtëpi. Një protestuese i tha BBC-së, se gratë e pasura ende mund të kenë qasje në aborte në shtetet tjera, mirëpo “gratë e varfra do të përballen me procedura ilegale”.

Ndërkohë një mbështetës i vendimit, prifti protestant, Bill Shankes, tha se e premtja për të është “ditë feste”.  Vendimi i Gjykatës Supreme nënkupton se rreth 36 milionë gra në moshë riprodhimi do të humbin qasjen në abort nëpër shtetet e tyre, sipas një hulumtimi të kryer nga organizata për kujdes shëndetësor, Planned Parenthood, e cila ka ndihmuar për aborte.

 

Top Channel