Ndarja nga jeta e ish-presidentit Nishani/ Ambasada Amerikane: Jemi të pikëlluar nga lajmi, kontributet e tij do të mbahen mend

28/05/2022 17:18

Ambasada Amerikane u ka shprehur ngushëllimet familjes së ish-presidentit Bujar Nishani për ndarjen nga jeta në mënyrë të parakohshme.

Në një postim në rrjete sociale thuhet se kontributet e tij në Partinë Demokratike, zhvillimin e Shqipërisë dhe marrëdhëniet SHBA-Shqipëri gjatë mandateve të tij si President dhe Ministër do të mbahen mend nga bashkatdhetarët, bashkëpunëtorët dhe partnerët e shumtë.

“Jemi të pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. I shprehim familjes së tij ngushëllimet tona të përzemërta. Kontributi i tij për Partinë Demokratike, zhvillimin e Shqipërisë dhe marrëdhëniet SHBA-Shqipëri gjatë mandateve të tij si President dhe Ministër do të mbahen mend nga bashkatdhetarët, bashkëpunëtorët dhe partnerët e shumtë”, shkruan ambasada.

Ish-Presidenti  Bujar Nishani ndërroi jetë në moshën 56- vjeçare. Prej më shumë se një muaji ,ish-Presidenti u transferua nga spitali “Shefqet Ndroqi” në një spital në Gjermani për një trajtim më të specializuar, por sipas mjekëve atje ra në gjendje kome.

Mjekët i këshilluan familjarëve të merrnin një vendim për shkak të shpresave të humbura për t’u zgjuar.

Nishani u shtrua  në ish Sanatoriumin e Tiranës në datën 20 prill për shkak të komplikacioneve të një pneumonie të mbivendosur mbi fibrozat post covid në mushkëri. Në 23 prill u zhvendos në Gjermani.

Nishani vuante nga një sëmundje autoimune në mushkëri dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi i Covid 19 i la në organizëm.

Top Channel