Marrëveshja me Universitetin Shtetëror të Miçiganit / Kushi: Programe studimi dhe projekte shkencore të përbashkëta

06/12/2021 12:58

Në kuadër të ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi në Universitetin Shtetëror të Miçiganit në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Ky bashkëpunim i ri që do të nisë mes gjashtë universiteteve shqiptare dhe Universitetit Shtetëror të Miçiganit, do t’i hapë rrugë programeve të përbashkëta të studimit, shkëmbimit të studentëve dhe stafit akademik, si dhe aktiviteteve, konferencave e projekteve të përbashkëta kërkimore shkencore.

Ministrja Kushi thekson se hapja e universiteteve tona ndaj universiteteve ndërkombëtare, me programe e projekte të përbashkëta u mundëson të rinjve shqiptarë që të kryejnë studime të nivelit ndërkombëtar pa qenë e nevojshme që të largohen nga Shqipëria.

Kjo marrëveshje bashkëpunimi me interes dypalësh do të shërbejë edhe për shkëmbim eksperience në publikime dhe informacion akademik, kërkuesve shkencorë, si dhe do të nxisë takime të përbashkëta për të rritur cilësinë në arsim dhe kërkim shkencor, do të nxisë mbështetje në asistencë teknike, si dhe bashkëpunim në krijimin e mjediseve elektronike për leksione dhe kurse.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel