Mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha janë  mbledhur në New Jeresy këtë të dielë për mbajtjen e Foltores së SHBA-ve.

Berisha i ka falënderuar duke postuar video, ndërsa ddemokratët shfaqen me flamuj të PD-së dhe flamujt shqiptarë kuq e zi.

“Pershendes me mirenjohje demokratet e Long Island qe jane nisur drejt Foltores! Zoti i bekofte! sb”, shkruan Berisha në profilin e tij.

Foltorja do të nisë në orën 18:00 me orën tonë dhe 12:00 me orën lokale në New Jersey.

Kujtojmë se Lulzim Basha dhe Sali Berisha i kanë shpallur luftë njëri-tjetrit, pasi ky i fundit u përjashtua nga Grupi Parlamentar i PD-së, se u shpall ‘non grata’ nga SHBA-ja.

Pas këtij vendimi, Berisha vijon luftën politike me anë të foltoreve të mbajtura me mbështetësit e tij në qytetet e vendit.

Berisha e akuzon Bashën se është marrë peng nga Rama dhe po bashkëpunojnë, gjë që është hedhur poshtë nga kryedemokrati.

Kujtojmë se me datë 10 nëntor, ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij dorëzuan firmat e mbledhura në selinë e PD-së, me qëllim mbledhjen e një Kuvendi Kombëtar më datë 11 dhjetor.

Ndërkohë ka pasur thirrje për dy Kuvende me data të ndryshme.

Më 15 nëntor, kryetari i PD-së në Shqipëri, Lulzim Basha në fjalën e tij gjatë takimit me anëtarët e Kryesisë së PD-së, ka theksuar se “11 dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD-së, në ditën e izolimit të PD-së”.

Kreu i demokratëve ka zyrtarizuar datën 18 dhjetor për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, e cila është kundërshtuar me forcë nga ish-kryeministri Berisha dhe mbështetësit e tij.

Lulzim Basha nuk e njeh Kuvendin e shpallur nga paraardhësi i tij dhe ka kërcënuar me përjashtuam këdo që shkel interesat politike dhe elektorale te partisë, duke nisur me Sali Berishën.

Top Channel