Vrasja e Mateos në Fier/ Flet për herë të parë Gledis Nano: Autori ishte hajdut banesash, s’ka kallëzim për ngacmim seksual

01/12/2021 10:52

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano këtë të mërkurë ka folur për herë të parë për vrasjen e Mateo Vasiut, 8-vjeçarit që u vra nga fqinji i tij, Klodian Çalamani në fshatin Gracalli të Fierit.

Nano tregoi se ndaj tij ka pasur të dhëna se ka qenë një hajdut banesash dhe nuk ka pasur kallëzim në fushën e abuzimit seksual.

Në 16 nëntor u arrestua në flagrancë në Gracalli agresori që kishte groposur një të mitur. Ka pasur të dhëna se ai ka qenë hajdut banesash. Nuk ka pasur kallëzime në fushën e abuzimit seksual”, tha Nano.

Ai deklaroi në Komisionin e Sigurisë se në vitin 2021 janë shënuar 60 për qind më shumë krime nga grupet e strukturuara dhe ogranizatat mafioze në krahasim me vitin e kaluar. Nano theksoi se 30 për qind e vrasjeve kanë ndodhur si pasojë e dhunës brenda familjes, duke shtuar se për rrjedhojë janë rritur edhe urdhrat e mbrojtjes.

60% më shumë krime nga grupet e strukturuara dhe organizatat kriminale mafioze janë shënuar këtë vit në krahasim me vitin 2020”, tha Nano.

Situata kriminale– Gjatë këtij viti janë evidentuar gjithsej 27763 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 24452 ose 88.1% tyre.Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë evidentuar 1549 ose 5.5% vepra penale më shumë.

Ka rënie të veprave penale kundër personit me 10.7% dhe ato kundër pronës me 6.1%. Ka rritje të goditjes së krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe konkretisht veprat penale të korrupsionit me 30.7%, në fushën e krimeve ekonomike – financiare me 20.7 %, në fushën e pastrimit të parave me 8.5%, në fushën e terrorizmit me 5.5%, në fushën e krimeve kompjuterike me 144.3%, në fushën e narkotikëve me 48.6%, në fushën e trafiqeve të paligjshme me 1.5%, grupe të strukturuara dhe organizata kriminale me 143.7%. Gjithashtu ka pasur rritje të veprave penale të dhunës në familje me 3.7% dhe në fushën e qarkullimit rrugor me 8.8%.

Për sa i përket peshës që zënë këto vepra penale në tërësinë e kriminalitetit, gjendja paraqitet:krimet kundër personit zënë 9%, krimet kundër pronës 19%,veprat penale të korrupsionit 3%, veprat në fushën ekonomike-financiare 10%, veprat në fushën e narkotikëve 9%, trafiqet 3%, dhuna në familje 4%, veprat në fushën e qarkullimit rrugor 16% dhe të tjera 25%.

Vrasjet në Shqipëri- Gjatë këtij viti, deri në datë 23.11.2021, kanë ndodhur 56 vrasje, ndërsa në të njëjtën periudhë gjatë vitit 2020 dhe 2019 kanë ndodhur respektivisht 44 dhe 52 vrasje.

Dua të sqaroj se për të gjitha ngjarjet, vrasjet e ndodhura deri më tani, pa autorë, nga Policia e Shtetit po punohet intensivisht për zbulimin, dokumentimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të tyre.

Ulja e numrit të vrasjeve është barometri kryesore për situatën e krimit. Dua t’ju siguroj se angazhimi i policisë do jetë edhe më i madh.

Investimi për zbulimin e këtyre ngjarjeve të pazbardhura kërkon kohë, por të jeni të sigurt që angazhimi është maksimal dhe nuk pushon në asnjë moment.

Unë dua t’ju sqaroj se kemi hetime që do të jenë rezultative në një kohë të shpejtë në lidhje me ngjarjet e pazbuluara, por nuk mund të japë asnjë informacion për shkak se përbën sekret hetimor.

Grupet kriminale investojnë shumë në sofistikimin e mënyrës së kryerjes së aktivitetit kriminal, pasi kanë dhe mundësinë për ta bërë këtë punë qoftë edhe nga ana financiare.

Në këtë drejtim, policia ka kërkuar rritjen e buxhetit me qëllim që ti përgjigjet sa më profesionalisht me një forcë goditëse dhe efikase këtyre grupeve kriminale, duke cenuar rendin dhe sigurinë në vend.

Operacionet policore-  Janë zhvilluar gjithsej 419 operacione policore, 78 prej të cilave në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar. Zhvilluar 60 operacione ose 16.7% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Personat e shpallur në kërkim- Janë shpallur në kërkim 3123 persona. Janë anuluar nga kërkimi 2965 persona, nga të cilët 1646 persona janë kapur nga policia. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë kapur nga policia 119 persona ose 7.8% më shumë.

Pasuri të sekuestruara- Janë sekuestruar asete për pastrim parash 41 raste, në vlerën  31,216,758 Euro.

-Asete kriminale të sekuestruara nga hetime penale dhe pasurore sipas “Ligjit Antimafia”, janë 11 raste ku janë sekuestruar pasuri të luajtshme, të paluajtshme etj, të cilat janë përllogaritur në vlerën prej 14,484,841 Euro, kundrejt 7 rasteve dhe 4,832,032 Euro asete të sekuestruara gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2020.

-Janë referuar 368 hetime pasurore, nga 107 hetime për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

-Janë kryer 6592 verifikime pasurore për asetet kriminale, nga 6076 verifikime në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Grupet kriminale të goditura- Janë goditur gjithsej 40 grupe kriminale, 4 grupe ose 11% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Top Channel