Kuvendi/ Berisha bën deklaratën e fortë: Basha po mbledh firma duke ofruar poste zv.ministrash në kabinetin e Ramës

01/12/2021 17:05

Ish-kryeministri Sali Berisha ka treguar përpjekjet e fundit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për të realizuar, sipas tij, Kuvendin e 18 dhjetorit.

Berisha u shpreh se prej dy ditësh Basha bashkë me një grup zyrtarësh po përpiqet që të mbledhë firma duke ofruar poste drejtorësh dhe zëvendësministrash në kabinetin e Ramës.

“Në 8 vite peng kryetari, një kampion humbjesh dhe dështimesh me qëndrimet e tij defaktorizoi PD. E çoi atë pa alternativë të jetë apo të mos jetë.

2 ditët e fundit me një grup vasalësh po përpiqet që të mbledhë firma duke ofruar poste drejtorësh dhe zëvendësministrash në kabinetin e Ramës. Ky është akti i fundit i turpit, por ju themi futuni në qeveri si tradhtarë po do ju përmbysim në një kohë sa më të shkurtër.

Ne jemi në prag të një ngjarje historike, të pashembullt ë historinë e një vendi, të rithemelimit të PD me firmat e anëtarëve të saj sepse udhëheqja është marrë peng, peng i shumëfishtë. Rithemelimi i pluralizmit se pa PD të fortë nuk ka rithemelim”, tha Berisha.

Top Channel