Ditën e sotme ka nisur operacioni më i madh i eksportit detar të Shqipërisë. Kryemnistri Edi Rama e ka kaluar ditën në det të hapur për të parë nga afër se si kapen peshqit dhe punohet në anije-fabrikën e specializuar të tonit, ku bëhet procesi i filetimit përpara vendosjes në – 85°C për ruajtjen sipas standardeve të tregut në Japoni.

Në një fotografi, Rama shfaqet duke u matur pranë dy peshqve ton në një varkë peshkimi. Fotografia është bërë publike nga vetë kryeministri në Instagram, ku shkruan: Alamet çunash.

Ndërkohë kryeministri Rama ka bërë me dije se operacioni i eksportit detar përfshin edhe Japoninë në hartën e eksporteve shqiptare, nga 3 vende në vitin 2013 sot ka plot 27 destinacione.

Rama thekson se industria shqiptare e peshkimit tashmë është një industri konkurruese në tregun ndërkombëtar dhe pas pesëfishimit të eksporteve të saj në dy mandatet e para, synon dyfishim të eksporteve në mandatin e tretë.

Ambasadori japonez në Tiranë, Takada Mitsuyuki shprehu kënaqësinë e tij që po merrte pjesë në këtë dërgesë të parë të produkteve detare nga Shqipëria në Japoni.

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca bëri me dije se është hera e parë që eksportojmë peshkun ton, kuotat e të cilit i jepnim në vendet e tjera, nuk i shfrytëzonim në vendin tonë. Objektivi i Ministrisë së Bujqësisë është që kuotat të rriten vazhdimisht.

Top Channel