Kuvendi i Shqipërisë ka marrë të mërkurën opinionin paraprak të Komisionit të Venecias lidhur me kërkesën e Shqipërisë për ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut.

Në vlerësimin paraprak “Venecia” shprehet pro zgjatjes së mandatit të këtyre organeve.

Ishte gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ai që ka parë draft-opinionin paraprak ku në pikën 32 thuhet se: “Komisioni i Venecias është i mendimit se shtyrja e mandatit të KPK dhe KP është në përputhje me standardet”.

Ky është thelbi i opinionit që përligj kërkesën e iniciuar nga grupi parlamentar socialist dy muaj më parë.

Anëtarët socialist në Këshillin Legjislativ të Kuvendit vendosën që t’i drejtohen Komisionit të Venecias për amendamentet e tyre për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim zgjatjen e mandatit të institucioneve të vettingut, deri në fund të vitit 2024.

Top Channel ka mësuar se Opinioni final për këtë çështje do të miratohet në seancën plenare të Komisionit të Venecias më datë 10 dhjetor.

Përveç socialistëve, kërkesa për zgjatjen e mandatit për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerin Publik, ka ardhur edhe nga përfaqësues të Komisionit Evropian dhe institucioneve të vettingut në një seancë dëgjimore me Këshillin për Legjislacionin në Kuvendin e Shqipërisë.

Maciej Popowski, kryetar i Bordit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM pranë Komisionit Evropian tha përmes një lidhjeje online se e mbështeste nismën e kuvendit për amendimin e Kushtetutës me qëllim zgjatjen e mandatit të institucioneve të vettingut.

Ai e cilësoi reformën në drejtësi si një nga reformat më të mëdha që Shqipëria kishte ndërmarrë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

ONM rekomandon zgjatjen e punës për të pasur një përfundim me sukses të procesit të reformës në drejtësi”, tha Popowski, duke arsyetuar se organet aktuale të vettingut kanë eksperiencën dhe strukturat funksionale për ta bërë këtë.

Zgjatja lejon KPK-në që të finalizojë këto çështje dhe puna që është bërë deri tani të mos ndërpritet dhe të fillojë gjithçka nga fillimi,” shtoi ai, duke premtuar se monitorimi i ONM do të vijojë mbi bazën e praktikës së deritanishme.

Socialistët kanë kërkuar zgjatjen mandatit të organeve të procesit të verifikimit të figurave zyrtare, pasi më 17 qershor 2022 Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik i përfundon mandati.

Kushtetuta parashikon se kur i përfundon mandati KPK-së dhe komisionerëve publikë, çështjet e papërfunduara të rivlerësimit shqyrtohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Për të zgjatur afatin e funksionimit të dy organeve të reja të drejtësisë, mazhorancës socialiste i duhen edhe votat e opozitës, pasi nevojiten 94 vota.

Opinioni i Komisionit të Venecias nuk ka karakter detyrues dhe i mbetet deputetëve të parlamentit të votojnë lidhur me zgjatjen ose jo të mandatit për institucionet në fjalë.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel