Kuvendi miratoi projektligjin e Eurobondit, borxhin për OSHEE-në, buxhetin faktik i 2020-ës si dhe ngritjen e Komisionit Hetimor për mbetjet, pas 10 orësh debatesh dhe diskutimesh.

Në konferencën për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj theksoi se “Eurobondi pritet të dalë në treg në fillim të muajit nëntor dhe do të ketë një vlerë prej 700 milionë euro”.

Sipas saj, procesi po ndiqet nga MEF si dhe nga këshilltarët, për zbatimin me sukses të këtij procesi.

Ibrahimaj tha se “dita për daljen në treg nuk është vendosur akoma, pasi do të vendoset në bazë të këshillimit me ekspertët ndërkombëtarë, me qëllim që të dalim në treg në ditët më të përshtatshme për të marrë normën e interesit më të përshtatshme që garanton reduktim të kostove të borxhit publik në përgjithësi”.

Gjithashtu është miratuar edhe borxhi nga BERZH me 78 vota pro, 3 kundër dhe 36 abstenim me vlerë 70 milionë euro  për OSHEE-në për përballimin e pasojave të pandemisë në këtë sektor.

Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huasë, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a. (OSHEE), dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e OSHEE-së është për reagimin ndaj krizës së pandemisë Covid-19.

Drita jeshile iu dha edhe miratimit të buxhetit faktik të vitit 2020 me 76 vota pro dhe 41 kundër.

Ndërsa Komisioni Hetimor për mbetjet urbane u miratua me 117 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim.

Projektvendim “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve administrative dhe procedurës së ndjekur nga ana e organeve ekzekutive në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane në Tiranë, Elbasan dhe Fier”.

Komisioni Hetimor për Mbetjet Urbane do tw përfaqësohet nga  Jorida Tabaku kryetare, Ermonela Felaj, zv.kryetare, Anëtarë: Arben Pëllumbi, Eduard Shalsi, Etjen Xhafaj, Anila Denaj, Fadil Nasufi, Antoneta Dhima, Besjan Ajazi, Edmond Spaho, Hlidon Bushati, Dhurata Çupi, Belind Këlliçi, Luçiano Boçi, Lefter Gështenja.

Top Channel