Kriza energjetike, Balluku: Grant 10 mld lekë për të mbrojtur abonentët familjarë dhe bizneset e vogla

27/10/2021 14:08

Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, u shpreh qeveria ka vendosur në dispozicion një grant prej 10 miliard lekësh për sektorin e energjisë.

Ky grant vjen në sajë të krizës së energjisë elektrik dhe sipas ministres do të ndihmojë për të mbrojtur fashën e abonentëve familjarë dhe biznesit të vogël.

Më tej, Balluku u shpreh se si pasojë e emergjencës energjetike dhe mungesës së energjisë në treg, qeveria po mundohet që të krijojë një mundësi për të siguruar sasi me kontrata afatgjate.

Ajo tha më tej se dy projektvendime që kanë kaluar sot janë shpronësimet për dy linja që konsiderohen investime kritike.

Balluku: Do ndalesha tek projektvendimet që prekin fushën energjetike, e prekur nga kriza globale. Na duhet të punojmë për këtë krizë për të krijuar të gjitha mundësitë e mbrojtjes. Është marrë vendimi për ofrimin e garancisë sovrane, do të shkojnë 10 mld lekë në dispozicion për sektorin e energjisë, që do na krijojnë kushtet për të mbrojtur fashën e familjarëve dhe biznesit të vogël. Çmimet e larta globalisht janë një problem i madh, por na shqetëson mungesa e sasisë së energjisë në treg.

Ajo çka ne po bëjmë: një mundësi për të siguruar këto sasi me kontrata afatgjate që na japin mundësi edhe për çmime më të mira sesa ato që sot tregtohen përmes bursave.

Kanë kaluar edhe projektligji për shpronësimet për dy linjat 110 kilovolt dhe 220 kilovolt. Ne i konsiderojmë investime kritike, pasi investimet  e tjera janë stopuar. Vetëm investimet kritike që kanë të bëjnë me rrjetin e shpërndarjes apo me prodhimin do të vazhdojnë të funksionojnë. Dy projektligjet për shpronësimet i japin mbështetje të fushës së energjisë. Synimi është mbrojtja për abonentët familjarë, për bizneset e vogla dhe ata të mëdhenj.

Dua të përmend dy ndryshime në VKM për rregullimin e burimeve të energjisë së rinovueshme. Janë ndryshime për të facilituar investimet vendase në energjinë e rinovueshme që të bëhen pjesë garave pa i vënë detyrime që i pengojnë si eksperiencë apo sasia e parave që duhet të kenë në dispozicion para nisjes së projektit”

Top Channel