Progres-raporti i KE/ Soreca: Konferenca Ndërqeveritare të mblidhet brenda vitit! Rama: BE s’po jep rezultatet, jo Shqipëria

20/10/2021 10:28

Kryeministri Edi Rama dhe ambasadori BE-së, Luigi Soreca kanë dalë në një përfundim të përbashkët pas publikimit të Progres-raportit të Komisionit Evropian, atë të mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së për nisjen e negociatave.

Ambasadori BE-së, Soreca në një konferencë të përbashkët me Ramën u shpreh se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli Europian dhe se tani është momenti për të mbledhur Konferencën e Parë Ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian duhet të lexojë Progres Raportin, vendet anëtare duhet të shohin se Shqipëria i ka përmbushur kushtet dhe është koha për të ulur në tryezë të përbashkët me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shqipëria ka vijuar me përparimet për reformat. Raporti tregon se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e caktuara nga Këshilli. Konferenca e parë duhet të mblidhet brenda vitit”.

Sipas ambasadorit, ka rezultate dita ditës, jemi besimplotë që qeveria dhe kuvendi janë të gatshëm për të bërë punën e mëtejshme.

Në fushën e sundimit të ligjit, raporti tregon se ka përmirësim në vetting, luftën kundër korrupsionit, duke krijuar trupat e reja të specializuara për zbatimin e ligjit. Fusha kyçe ku duhet të vazhdojë puna e ndërprerë është procesi i vetting-ut”.

Soreca thekson se shtyrjet për anëtarësim do të kenë ndikim negativ për besueshmërinë për Union.

Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se Evropa nuk ka në plan të zgjerohet duke theksuar se Shqipëria nuk do t’i ndalojë përpjekjet për të bërë progres, gjatë fjalës së tij.

Ai ka përsëritur se raporti e vulos objektivisht se Shqipëria i ka plotësuar kushtet.

“Dua të them se së pari raporti e vulos objektivisht se Shqipëria vjen nga një proces zgjedhor i padiskutueshëm në pikëpamje të integritetit dhe të përputhjes me standardet dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR. Ka ecur me reformat e shtetrrethimit dhe të konsolidimit të proceseve demokratike. Reforma në administratën publike përsëri referohet si një proces që përparon, ashtu edhe për luftën kundër krimit të organizuar. Të drejtat e njeriut rikonfirmohen si vlera më e madhe. Barazia gjinore vlerësohet.

Përpjekjet tona për ta përafruar kuadrin legjislativ me BE-në vihen re dhe vlerësohen. Progresi për një ekonomi funksionale tregu është evident. Këto janë disa nga pikat kyçe. Raporti i Progresit nuk është thjesht një dokument që bën vlerësime pozitive por edhe që nxjerr në pah sfidat dhe problemet që duhen adresuar. Përtej progresit që ka bërë, nuk është një vend që mund të bëhet sot anëtare edhe sikur të donin të tjerët që nuk e duan se Evropa për tani nuk ka oreks për zgjerimin. Në mbyllje dua të them që ne nuk do të ndalojmë me përpjekjet tona në bazë nëse hapen po jo negociatat.  Ne e bëjmë për fëmijët tanë që të jetojnë në një vend me të njëjtën cilësi si në Bashkimin Europian”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama sërish ka theksuar se BE-ja nuk po arrin rezultatet dhe jo Shqipëria për plotësimin e kushteve të vëna nga BE-ja.

“BE-ja nuk po jep rezultatet, jo Shqipëria. Ça do bëjmë ne s’do t’i lëmë punët, nuk do i çojmë deri në fund. Kujt do t’i bëjmë dëm. Nuk është fare fjala për t’i fajësuar. Gjërat kanë logjikën e tyre në BE. Ka disa mënyra të të parit të gjërave që ne duhet ta bëjmë tonën”, tha Rama.

Gjatë konferencës në Kryeministri së bashku me ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca për progres-raportin e KE-së, ai tha se edhe pse nuk ka një përfundim pozitiv nga Bashkimi Evropian, sërish Shqipëria vijon progresin e saj.

Kujtojmë se edhe më parë kreu i qeverisë shqiptare ka bërë fajtor BE-në për mos hapjen e negociatave, duke theksuar se vendi ynë i ka përmbushur kushtet dhe ka qenë në progres të vazhdueshëm.

Komisioni Europian publikoi progres raportin vjetor për vendet e Ballkanit Perëndimor, një ditë më parë, duke i kërkuar edhe njëherë tjetër vendeve të BE-së ti hapin dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në mbajtjen e mbledhjes së parë ndërqeveritare me BE.

Ndërsa Olivér Várhelyi, Komisioner për Zgjerimin i tha Komitetit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, se BE nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor.

FOTO GALERI
1/14

Top Channel