Kryeministri Rama emëron Enkelejda Muçajn si zv/ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë

20/10/2021 18:35

Kreu i qeverisë Edi Rama ka emëruar Enkelejda Muçajn si zëvendësministre të Infrastrukturës dhe Energjisë. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.

Ky vendim është publikuar në faqen online të Kryeministrisë.

“Znj. Enkelejda Muçaj emërohet zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.

Enkelejda Muçaj ka mbajtur më parë detyrën e Avokates së Shtetit.

Ajo ka asistuar në këshillim klientë të huaj dhe vendas që operojnë veçanërisht në sektorin e naftës, gazit dhe industrinë e telekomunikacionit në Shqipëri, në transaksione që lidhen me shitjen dhe blerjen e pasurive të patundshme dhe aktiviteteve operative, si dhe vlerësimin dhe negocimin e çështjeve rregullatore me autoritetet kompetente shqiptare, blerjen e pasurive të patundshme dhe konsultimet për çdo çështje relevante legjislative.

Znj. Muçaj ka qenë gjithashtu Këshilltare Ligjore e Ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë (1998-2000), duke ofruar ndihmë juridike posaçërisht në lidhje me kornizën e re ligjore të ligjit për të drejtat e autorit në Shqipëri dhe ka përfaqësuar qeverinë shqiptare në lidhje me Ligjin për të drejtat e autorit në negociatat e zhvilluara me OBT për qëllime të pranimit të Shqipërisë në këtë organizatë.

Ajo gjithashtu u ka ofruar ekspertizë autoriteteve të qeverisë shqiptare në lidhje me harmonizimin e legjislacionit kombëtar me ligjin ndërkombëtar të pronësisë intelektuale.

Muçaj ka qenë gjithashtu ligjëruese për lëndën “Ligji mbi pronësinë intelektuale” pjesë e Programit Juridik të Universitetit të New York Tirana (që nga 2013). Ajo përgjatë karrierës së saj ka punuar gjithashtu për shumë firma prestigjioze të huaja.

Ajo është gjithashtu e pasur në edukim, duke marrë diplomën e saj të parë në Universitetin e Tiranës, në fillim në degën e gazetarisë pastaj dhe në fushën e juridikut.

Muçaj ka dy diploma nga IBA and College of Law of England and Wales në degët: “Shkrirjet dhe blerjet e kompanive internacionale” dhe  “Tregjet e kapitalit ndërkombëtar dhe huat”.

Masterin Znj. Muçaj e ka përfunduar në Torino, në fushën e ligjit të pronësisë intelektuale.

Top Channel