Një ndër propozimet kushtetuese të PD-së është që të gjithë politikanët të kalojnë në sitën e Vettingut, nëse kanë qenë të dënuar më parë, kanë lidhje me kriminelët apo kanë pasuri të pajustifikuara ligjërisht.

Sipas PD-së, duhet të përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur personat që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose ata që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar, me pasuri të pajustifikuar.

“3. Përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.”

 Sa i përket integritetit të figurës, PD thekson se të gjithë duhet t’u kontrollohet pasuria dhe pastërtia e figurës.

“Kontrolli i integritetit është një proces i posaçëm verifikimi që përfshinë kontrollin e thelluar të pasurisë dhe të pastërtisë së figurës. Ai kryhet me qëllim mbrojtjen dhe garantimin e mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, dhe institucioneve kushtetuese, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje i funksionarëve që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht.”

Çdo politikani duhet t’i verifikohen pronat, sendet apo detyrimet financiare. Sipas propozimit, pasuria konsiderohet e ligjshme, vetëm nëse përfshijnë të ardhura të ligjshme, si dhe çdo pasuri tjetër e fituar me mjete të ligjshme.

“Kontrolli i pasurisë nënkupton verifikimin e ҁdo të drejte reale në formën e pronësisë, përdorimit dhe posedimit mbi sendet që përcaktohen në legjislacionin në fuqi për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë, si dhe ҁdo interes privat i subjektit. Pasuria konsiderohet e ligjshme, vetëm nëse përfshinë të ardhura të ligjshme, si dhe ҁdo pasuri tjetër, e fituar me mjete të ligjshme dhe për të cilën ligji në fuqi nuk ka patur ndalesë për funksionarin publik që të fitojë pronësinë, përdorimin apo posedimin.”

Sa i përket pastërtisë së figurës, duhet të verifikohen kontaktet me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Sipas PD-së, asnjë nuk mund të kandidojë nëse është përfshirë në krime, apo ka precedent penal.

“Kontrolli i pastërtisë së figurës për të verifikuar kontaktet e papërshtatshëm me persona të përfshirë në krimin e organizuar nënkupton verifikimin e ҁdo forme kontakti fizik apo jo, me dashje dhe jo rastësore, që përfshin, por pa u kufizuar, takimet ose biseda dhe komunikime elektronike, dhe që nuk përputhen me natyrën e ushtrimit të rregullt të detyrës nga funksionari publik, pavarësisht nëse ka ndikuar apo jo në ushtrimin e saj, me çdo person që është dënuar apo proceduar penalisht, brenda apo jashtë Shqipërisë, për një nga veprat e parashikuara në legjislacionin në fuqi për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, me përjashtim të rastit kur është deklaruar i pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë. Personi konsiderohet i përfshirë në krimin e organizuar edhe kur: a) procedimi penal i filluar ndaj personit pushohet nga organi procedues për shkak të pamjaftueshmërisë së provave, të vdekjes së personit, apo se personi nuk mund të merret si i pandehur dhe nuk mund të dënohet; b) personi deklarohet i pafajshëm penalisht për shkak të pamjaftueshmërisë së provave, apo se vepra penale është kryer nga një person, që nuk mund të akuzohet ose dënohet.”

Funksionarët publikë që i nënshtrohen procesit të kontrollit të integritetit janë deputetët e Kuvendit, Kryeministri dhe ministrat, Presidenti i Republikës, kryetarët e bashkive, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokati i Popullit dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, bashkë me familjarët e tyre.

PD propozon se organi përgjegjës për kryerjen e procesit të kontrollit të integritetit të jetë pranë SPAK, Sektori i luftës ndaj korrupsionit dhe garantimit të integritetit në radhët e funksionarëve të lartë shtetërore, e cila duhet  të përbëhet nga 6 prokurorë të SPAK, të zgjedhur me short çdo 3 vjet.

6 deputetë, 3 nga shumica dhe 3 nga pakica duhet të jenë pjesë e Komisioni t të Posaçëm Parlamentar të garantimit të integritetit të funksionarëve të lartë shtetërorë, për të siguruar një proces transparent, sipas PD-së.

Top Channel