Pjesë e grupit që falsifikonin dokumentet e pronave në Dhërmi, shpallet në kërkim ish-kreu i Kadastrës së Vlorës

17/10/2021 19:12

Shpallet në kërkim ish kreu i Kadastrës së Vlorës Klodian Troçi, i cili u dorëhoq nga detyra disa ditë më parë.

Ai akuzohet si pjesë e grupit që falsifikonin dokumentet e pronave në Dhërmi.

Kujtojmë se, Gjykata e Vlorës më herët la në burg Bardhyl Gjikën drejtorin e administrimit të tokave në Vlorë. Ata dyshohet se kanë kryer falsifikimin e një numri të konsiderueshëm, dokumentash pronësorë gjatë viteve 2019-2021.

Sipas dosjes së Prokurorisë, që nga viti 2019 deri në vitin 2021, Klodian Troçi, Bardhyl Gjika dhe specialisti në drejtorinë e administrimit të tokave, Kreshnik Mino kanë bashkëpunuar duke falsifikuar dokumenteve arkivorë të pronësisë, si tapi pronësie apo përdorimi për banorë të fshatrave Himarë e Dhërmi, etj. të Bashkisë Himarë.

Gjatë kontrollit sot në shtëpinë e Troçit, policia gjeti edhe një shumë parash prej 60 mijë eurosh. Troçi ka punuar për një periudhë gati tre mujore si drejtor në drejtorinë e pronave në Qarkun e Vlorës, ku më pas u zëvendësua nga Bardhyl Gjika.

Sot u mbajt edhe seanca gjyqësore për dy punonjësit e Këshillit të Qarkut të Vlorës, arrestuar 3 ditë më parë. Për Bardhyl Gjika është vendosur arrest me burg, ndërsa Kreshnik Mino, specialist pranë këtij institucioni ka marrë detyrim paraqitje. Ndërsa për shtetasin Spiro Duni, masa pritet të mbahet në spitalin Rajonal të Vlorës. (Për shkaqe shëndetësore).

Ata akuzohen se kanë kryer veprime në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, të kryer në bashkëpunim me njëri tjetrin, pasi për një numër të konsiderueshëm praktikash, ndonëse është konstatuar prej tyre se dokumentat pronësorë të shtetasve, kishin ndërhyrje të karakterit falsifikues në formë dhe përmbajtje, i kanë njehsuar ato, duke i konfirmuar dhe përcjellë shtetasve ose institucioneve kërkuese.

Po kështu u provua ekzistenca e dyshimit të arsyeshëm, të bazuar në prova se shtetasi S.D. banor i fshatit Dhërmi, Bashkia Himarë është autor i kryerjes të veprës penale të “Falsifikimit të formularëve” kryer në bashkëpunim.

Pak ditë më parë në zyrat e këshillit të qarkut në Vlorë u vodhën dy dosje për pronat në Dhërmi. Por rezultoi se e gjithë ngjarja ishte inskenuar nga Drejtori i administrimit e mbrojtjes së tokës, Bardhyl Gjika, specialisti i kësaj drejtorie, Kreshnik Mino dhe një 51-vjeçar i identifikuar si Spiro Duni.

Këta persona kishin bashkëpunuar me njëri-tjetrin në falsifikimin e dokumenteve të pronësisë së një toke në Dhërm dhe inskenuan grabitjen e dosjeve.

Top Channel