Detaje të reja nga abuzimi me tenderin/ Ja pse u skualifikua nga gara kompania që dha ofertë me 20 milionë më pak

09/10/2021 14:02

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka siguruar dosjen për çështjen e ish drejtorit të RTSH, Thoma Gëllçit, i cili u arrestua nga SPAK, së bashku me tre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj për shkeljen e barazisë në tendera kryer në bashkëpunim.

Aty përcaktohet se ish drejtori i RTSH-së, me dashje ka kryer veprime që vijnë në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, që i kanë sjellë personave të tjerë, operatorit fitues përfitime materiale duke dëmtuar interesat e ligjshme të operatorëve të tjerë ekonomikë që mund të jenë vetëskualifikuar për shkak të mospërmbushjes së afatit.

Në garën për tenderin  për blerjen e pajisjeve për kanalin “RTSH Agro” i zhvilluar në vitin 2018, ishin dy kompani, Euro Kontakt SHPK dhe TBS 96. Kjo e fundit u shpall fituese, ndonëse kishte ofertë 20 milionë lekë më të lartë. Në dosjen e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha thuhet se EuroKontakti ofroi 65 milionë lekë, ndërsa TBS 96 84 milionë lekë.

Arsyeja e skualifikimit ishte: “Kapaciteti teknik: Operatori Ekonomik ka paraqitur një letër autorizmi nga një kompani e cila pretendon që është distributor i autorizuar, por nuk vërteton nëpërmjet asnjë dokumenti që është distributor i autorizuar i kompanive që citon në autorizimin lëshuar tij. Specifikimet teknike: Në formularin e ofertës, Operatori Teknik ka paraqitur në pikën 25, Generallink LED Panel Lights Series GL-NS 1728A  me fuqi 120W, por në katalogun e paraqitur prej tij për këtë produkt në skedën teknike produkti në fjalë është me fuqi 110W.

Më datë 24 dhjetor u lidh kontrata mes ish drejtorit dhe operatorit fitues. Kushtet e garës ishin dorëzimi për 45 ditë i mallrave. Afati i zbatimit të kontratës ishte më 06.02.2019, por një javë pas përfundimit, Gëllçi kreu një tjetër shkelje duke firmosur një kontratë shtesë deri në fund të shkurtit.

“Lidhur me zgjatjen e afatit të zbatimit të kontratës midis Autoritetit Kontraktor dhe operatorit ekonomik të shpallur fitues: Operatori ekonomik nuk ka plotësuar kriterin e dorëzimit të mallrave brenda afatit 45 ditor dhe Autoriteti Kontraktor RTSH, i përfaqësuar nga drejtori i përgjithshëm Thoma Gëllci më datë 15.02.2019, me nr.87/19 ka përpiluar një kontratë shtesë për blerje pajisje për kanalin RTSH Agro duke e zgjatur afatin deri në dt. 22.02.2019. Kjo zgjatje afati zbatimi kontrate është bërë në kundërshtim me ligjin.

Veprimi i drejtorit të RTSH duke “i dhënë kohë” subjektit të shpallur fitues, jo vetëm që përbën një veprim të pabazuar në kontratë, por bie ndesh në mënyrë të hapur me parimet bazë sikurse janë: mosdisktriminimi, transparenca dhe barazia në trajtimin e kërkesave dhe detyrimeve që u ngarkohen ofruesve ose kandidatëve.

Vendimi i njëanshëm i ndërmarrë nga ana e drejtorit të RTSH duke shpërdoruar të drejtat dhe kompetencat e tij për të vepruar sipas ligjit dhe kontratës administrative, ka dëmtuar jo vetëm interesat e operatorëve ekonomikë, të cilët nëse do të ishin në dijeni të një periudhe më të gjatë për ofrimin e objektit të prokurimit do të kishin paraqitur ofertat e tyre duke e bërë më të drejtë, më gjithëpërfshirëse dhe më konkurruese gjithë këtë procedurë, por nga ana tjetër ka cënuar edhe interesin publik, duke shpërdoruar paratë publike, duke disponuar me veprime të cilat nuk janë në përputhje me procedurat ligjore dhe përcaktimet kontraktore mbi mënyrën se si duhet të ekzekutohej kjo kontratë publike/administrative”, thuhet në dosje.

Top Channel