Rama intervistë për televizionin francez TV5MONDE, tregon sfidat e mandatit të ri qeverisë: Fokusi te reforma në drejtësi!

25/09/2021 08:51

Nga New York-u, kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për televizionin francez TV5MONDE, ku foli për sfidat e Shqipërisë dhe të qeverisë “Rama 3”.

Sfidat e qeverisë për katër vitet e ardhshme sipas tij janë vazhdimi i punës për të modernizuar vendin, transformuar Shqipërinë, për të forcuar shtetin e së drejtës dhe veçanërisht reforma në drejtësi.
“Duhet të luftojmë për shumë gjëra që vijnë nga e shkuara por ka shpresë”, tha kryeministri.

I pyetur me këmbëngulje nga gazetarja nëse Shqipëria e pajtueshme me Evropën, në varësi të asaj ç’ka ju kërkon Brukseli, kryeministri u përgjigj:

Fati që pandëshkueshmëria në Shqipëri nuk është më një normë, dhe fakti që ka njerëz nga pushtete të forta që kanë dalë para gjykatave dhe janë dënuar, flet vetë. Po bëjmë një luftë të hapur kundër korrupsionit, po bëjmë një luftë të hapur për shtetin e të drejtës dhe dua të shtoj edhe luftën kundër trafikut të drogës; së pari nuk jemi një përjashtim në Evropë, së dyti  po të flasim për sasi, jemi ndër vendet me sasinë më pak të konsiderueshme dhe së treti kemi bërë përparime shumë të rëndësishme edhe në këtë drejtim“.

TV5MONDE prezantoi kryeministrin e rizgjedhur të vendit dhe vetë Shqipërinë përmes një reportazhi të përgatitur nga gazetarët francezë “për ish-shtetin komunist që prej 30 vitesh troket në derën e BE-së”:

Shqipëria: Deti i saj vaj, malet e saj përrallore të privuara nga turistët. Në zgjedhjet legjislative të pranverës së kaluar, kryeministri Edi Rama fiton një mandat të tretë, fitues i një fushate të dhunshme, e shënuar si gjithmonë nga fyerje, akuzat për mashtrime dhe blerje votash, por mbi të gjitha, nga lodhja e popullsisë.

Zgjedhje të kontrolluara me lupë nga Bashkimi Evropian, ka 30 vite që ish-shteti komunist troket në derën e BE-së, vitin e kaluar Brukseli dha më në fund miratimin e tij për hapjen e negociatave të anëtarësimit, por pa caktuar një datë. Por sot, sipas vetë pohimit të kryeministrit të saj, ajo nuk është ende gati, duhen kryer ende reforma të rëndësishme për të luftuar kundër korrupsionit dhe trafikut të drogës, që sundojnë në vend.

Rama foli dhe për marrëdhëniet diplomatike me Turqinë, dhe theksoi se miqësia me Presidentin Recep Tayip Erdogan nuk është në dëm të Bashkimit Europian.

Kjo është bla-bla-bla, në përgjithësi, sepse Turqia është një vend mik i Shqipërisë prej një kohe shumë të gjatë. Me Turqinë, Greqinë dhe Italinë ne kemi një partneritet strategjik dhe miqësia me Turqinë dhe marrëdhëniet me Turqinë nuk janë një alternativë ndaj Bashkimit Evropian. Aspak”.

I pyetur nëse strehimi i afganëve po bëhet për të përfituar nga SHBA, Rama theksoi se pranimi i tyre është një gjest solidariteti dhe një detyrë që Shqipëria ka ndaj të shkuarës së saj, sipas Edi Ramës.

Ne s’ua hapëm derën me kërkesë të qeverisë së SHBA-së. E hapëm derën sapo na kontaktuan disa organizata humanitare dhe të të drejtave të njeriut në SHBA, dhe thamë “PO”. Sepse për ne, kjo është çështje respekti ndaj  historisë. Ne kemi qenë afganët para 30 vjetëve, dhe po të mos kishte qenë mikpritja e italianëve dhe e të tjerëve nuk do të kishim mundur të dilnim nga ferri ynë, që nuk ishte një ferr i talebanëve islamistë, por ishte një ferr i talebanëve të kuq. Për të gjitha këto, për ne kjo është thjesht e natyrshme”, tha kryeministri.

Prej disa ditësh, Rama ndodhet në New York, ku dhe është prezantuar si kryeministri i Shqipërisë për 4 vitet e ardhshme. Një ditë më parë kryeministri Rama mbajti një fjalim të gjatë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku foli për disa çështje, si pandemia me shembullin e solidaritet që vendi ynë dha duke dërguar staf mjekësor në Itali për të ndihmuar zonën e Lombardisë në momente kritike dhe duke vazhduar më tej me falënderimin për Turqinë dhe BE-në, që mundësuan dozat e para të vaksinave kundër Covid-it.

Rama foli për aspiratën e Shqipërisë për t’u integruar në BE si dhe u ndal edhe tek nisma Open Balkan. Kryeministri nuk la pa përmendur as situatën në Afganistan dhe solidaritetin e Shqipërisë për pritjen e refugjatëve.

Top Channel