Enkelejda Sulaj, nëna e fëmijëve të rrëmbyer nga babai i tyre në një lidhje live në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel ka treguar gjithë vargun e vuajtjeve që përjetoi përgjatë 8 muajve.

Babai me origjinë shqiptare që jetonte në Gjermani udhëtoi për në Tenerife me dy fëmijët e tij në dhjetor të vitit 2020, ndërsa zhdukja u denoncua nga mamaja e fëmijëve në janar të 2021-shit.

Enkelejda Sulaj ka treguar se duhej të shkonte në Shqipëri për të rinovuar pasaportën dhe fëmijët qëndruan me të atin, por kur është kthyer në Gjermani nuk i ka gjetur.

Pas shumë kërkimesh ndërkombëtare,  Amantia dhe Kristiani bashkë me babanë e tyre janë gjetur më 24 gusht në ishullin Terneife.

Lorenc Toska është arrestuar dhe po përballet me drejtësinë në Spanjë.

Për 8 muaj ajo nuk komunikoi me fëmijët duke shpresuar për gjetjen e tyre.

 “Më 27 gusht jemi kthyer në shtëpi,  pas 5 ditësh ata kanë shkuar në shkollë, ai ka pasur ditëlindjen dhe kemi qenë bashkë. Që në vitin 2013 ne nuk jetonim bashkë, isha e detyruar që të ikja, por doja që ai të merrte pjesë në rritjen e tyre dhe i mundësova takime të shpeshta me fëmijët. Ne nuk kemi qenë të martuar kështu që nuk ka qenë e detyruar divorci. Lorenci i ka dashur fëmijët, i do fëmijët, por me veprimin e fundit një prind i mirë nuk do ta bënte kurrë. Ai nuk ka kërkuar që të kthehej edhe pse e ka shprehur që donte një bashkim të familjes. Po e ka pranuar që në fillim atësinë e fëmijëve. Erdha në Shqipëri për të bërë pasaportën dhe kur u ktheva në Gjermani  fëmijët nuk ishin në shtëpi. Përmes telefonatave që ka shkëmbyer vajza me një shoqe të saj ajo i ka thënë që jam në një ishull dhe të gjithë flisnin spanjisht dhe nuk i kuptonte. E bëra denoncimin më 17 janar. Vajza mendonte të arratisej sepse donte të vinte tek unë. Lorenci është sjellë mirë me ta,ata kanë dalë në det, kanë dalë shëtitje. Tashmë o ta ndaloj t’i takojë fëmijët, kur ata të jenë në moshë madhore do t’i lë ta bëjnë vetë zgjedhjen”, tha nëna.

Top Channel