Kreu i PD-së, Lulzim Basha është shprehur ditën e sotme se përfaqësuesit e Tom Doshit janë futur në Kuvend si Kalë Troje.

Programi i PD më i miri në historinë e këtyre 30 viteve. Do luftojmë me çdo mjet dhe formë, që këto angazhime të bëhen realitet dhe zëri i qytetarëve që kërkojnë ndryshim të dëgjohet. Kjo është mazhoranca e rremë, këta janë aksionerët e saj, këta dhe sponsorizuesit e tyre do të jenë përfituesit e këtij pushteti, jo shqiptarët!

Përballë këtyre individëve mbi të cilin ngrihet ky pushtet i paligjshëm, detyra jonë është që të bëjmë gjithcka që ata të mos jenë më në këtë sallë dhe i njëjti fat të ndjekë sa më parë të gjithë ata që mbajnë në këmbë këtë regjim që nuk përfaqëson vullnetin e lirë të qytetarëve.
Kjo është detya jonë e parë dhe vetëm ne mund e do ta bëjmë, sepse vetëm kështu ndahet përfundimisht e ardhmja nga e shkuara.
Ne jemi në vijën e parë të betejës.
Sepse ishim ne që refuzuam parimisht të përdornim të njëjtin model korruptiv të ndërtuar nga ky regjim, pasi jemi të vetëdijshëm se me barazimin e këtyre faktorëve, pra me aktivizimin edhe nga ne të grupeve dhe metodave kriminale asgjë nuk do ndryshonte për shqiptarët, edhe nëse ndryshimi nuk do të ishte penguar.

E ndryshme ishte beteja jonë. Ajo nuk u bë nga njerëz të pushtetshëm, nga krimielë të lidhur me politikën, nga parazitë të përfitimeve ekonomike që burojnë nga taksat dhe pasuritë e qytetarëve.
Beteja jonë u bë nga njerëz të zhveshur nga cdo pushtet dhe imunitet, nga qytetarë të thjeshtë, nga të rinj e të reja, nga punëtorë e punëtore që kërkonin një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre, nga sipërmarrës të ndershëm që mbajnë mbi supe peshën e korrupsionit dhe klientelizmit të regjimit, nga intelektualë dhe aktivistë që kërkonin ndryshimin e shumëpritur.
Ne nuk kërcënuam. Ne nuk blemë. Ne nuk vodhëm. Ne nuk përdorëm asnjë mjet shtetëror. Ne nuk pranuam asnjë kriminel.
Ne dolëm në fushatë si njerëz të lirë, ne folëm qartë dhe fortë për vizionin tonë për Shqipërinë, për bijtë dhe bijat e saj, u bëmë zëri i tyre duke frymëzuar shpresë për një të ardhme më të mirë.

Ne i kemi dhënë shqiptarëve programin më të mirë të hartuar në historinë e këtyre 30 viteve, fryt dhe prodhim i ekspertëve më të aftë të vendit dhe bashkëpunimit me ekspertët dhe aleatët perëndimorë.
Fryt i viteve të punës së bazuar mbi studime të gjendjes reale të vendit, në bashkëpunim të thellë dhe të hapur me të gjithë grupet shoqërore, me të papunët, me fermerët, me sipërmarrjen e vogël, me sipërmarrësit e mëdhenj, me prodhuesit, me eksportuesit, me mjekët dhe personelin shëndetësor, me arsimtarët, pedagogët dhe studentët, artistët dhe intelektualët, me elitën e mendjes dhe shpirtit të këtij vendi, me personat me aftësi të kufizuara, me të përndjekurit politikë dhe shoqatat e pronarëve.
Një program me angazhime konkrete, për cdo sektor të shoqërisë, që ofron zgjidhje për të cliruar potencialin e cdo shqiptari, që cliron dhe zhvillon potencialin e Shqipërisë të goditur nga korrupsioni që ka kapur shtetin.

Një program që ka në qendër familjen shqiptare, që synon forcimin e shtresës së mesme, si garante e stabilitetit ekonomik dhe politik të vendit.
Këto angazhime morën një mbështetje masive, sepse ishin rruga e vetme për të nxjerrë Shqipërinë nga stanjacioni dhe qëndrimi për shumë gjatë në vendnumëro. Ndaj ne do të luftojmë me cdo mjet dhe me cdo formë, që këto angazhime të bëhen realitet dhe zëri i qytetarëve që kërkojnë këto ndryshime të dëgjohet.  
Distanca që ekziston midis vënies në jetë të këtij programi në dobi të shqiptarëve dhe vazhdimit të një modeli që ka rezultuar i dëmshëm për interesin publik nuk është e madhe, por e vogël sa 30 mijë votat që ndanë, pavarësisht gjithë paligjshmërive, dy kampet tona.
Qytetare dhe qytetarë të nderuar,
Vendi ndodhet në një udhëkryq mes të shkuarës dhe të ardhmes. Për ne zgjedhja është e qartë, për ne zgjedhja është dhe do të jetë gjithmonë vetëm ajo që është e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Përfaqësuesit e Tom Doshit u futën si Kalë Troje në Kuvend, dy prej tyre në mënyrë anonime u futën. Në këtë sallë janë edhe dy përfaqësues, njerëz që dolën nga anonimiteti dhe u bënë pjesë. Mbanin poste drejtorësh në Administratën e Tiranës, tha Basha.

Sipas Bashës, pandemia tregoi natyrën e grabitqare të pushtetit të Ramës duke braktisur qytetarët dhe pasuruar veten e klientët e tij.

“Mund të përdor shumë, shumë shembuj, sepse prej vitesh keni prodhuar skandale që janë eklipsuar nga skandale të tjera, dhe për shkak të të munguarës së madhe, drejtësisë, e gjitha kjo ngjan si një luftë fjalësh, ndërsa vendi ka marrë tatëpjetën.
Megjithatë ka një moment që e shfaq në gjithë brutalitetin e tij natyrën e vërtetë të pushtetit tuaj dhe vizionit që keni për këtë vend.
Pandemia. Pandemia goditi ashpër të gjitha shtetet – sigurisht nuk mund të të bëj përgjegjës për këtë – por në zgjedhjet që ti bëre në keqmenaxhimin e saj shqiptarët kuptuan se kush jeni dhe sa e gënjeshtërt është propaganda juaj.
Është fakt tashmë që Shqipëria ka shënuar numrin më të lartë të vdekjeve në raport me popullsinë në Europë.
Mijëra prindër, bij e bija nënash e baballarësh, sot kanë lënë pas boshllëqe, dhimbje dhe halle në gjirin e familjeve që i humbën, për shkak të koktejit të neglizhencës vrastare, propagandës së pashpirt dhe makutërsië për të bërë plackë edhe në kohërat e kolerës.
Është fakt dhe dhimbje e pakurueshme po kështu, se kur njerëzit po humbnin gjithcka për të shpëtuar shëndetin e tyre, ti dhe ndihmën ekonomike më të ulët në Europë.
Po ashtu është fakt se ndërkohë që jetët e humbura shtoheshin, ndërkoë që familjet shqiptare varfëroheshin dhe ekonomia lëngonte për shkak të mbylljes, ti bëje tendera sekretë me cmime të paracaktuara në dobi të klientëve të pushtetit tend.
Ti vijoje pagesat e majme për inceneratorët e mafias së plehrave dhe PPP-të e tjera që ishin në funksion të xhepave tua dhe fushatës zgjedhore.
Pra, në ditët më të zeza të shqiptarëve, shqetësimi juaj i vetëm ishte pasurim dhe pushteti, asgjë tjetër.
Kjo nuk është një sjellje njerëzore, por ngjan më shumë me ato të hienave, që sulen më egër në momentet e brishtësisë. 
Këta jeni ju! Ky është modeli juaj! Ky është programi juaj! Asgjë tjetër vecse një kope e babëzitur që si në rast pandemie si në rast tërmeti, turreni për të shqyer cfarë mundeni të shqyeni! Një fatkeqësi kombëtare!”, tha Basha.

Top Channel