Denis Demiri

Masa e sigurisë me 25 vite burgim për të dënuarin Denis Demiri i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Memli Begalla në shkurt të 2018-ës është shuar.

Në mars të vitit 2020, 45-vjeçari u shpall fajtor duke u dënuar me 25 vite heqje lirie. Ndërkohë që 51-vjeçari Ardjan Serezi, i cili ishte i dyshuara si bashkëpunëtor në këtë vrasje u lirua nga akuzat, pasi prokuroria nuk siguroi dot prova.

Avokati i Demirit, Sokol Tahiraj dorëzoi kërkesë në Gjykatën e Apelit Tiranë për shuarjen e masës ssë dhënë për të akuzuarin.

Sipas kërkesës së dërguar gjykatës nga ana e Demirit, theksohet se “nga analiza e provave dhe afateve të pezullimit rezulton se paraburgimi i urdhëruar ndaj të pandehurit ka humbur fuqinë dhe gjykata duhet të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të tij. Sipas nenit 28/3 të Kushtetutës, i pandehuri ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyetueshëm e drejtë që parashikohet edhe në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.  Tejkalimi këtyre afateve sjell humbjen e fuqisë së paraburgimit dhe detyrimin e gjykatës të vendosë lirimin e menjëhershëm të të pandehurit”.

Gjithashtu në kërkesën e drejtuar nga avokati shkruhet se “afatet e paraburgimit nuk mund të rinisin në qoftë se kohëzgjatja tërësore është konsumuar plotësisht. Në rastet se kohëzgjatja e paraburgimit rifillon për çdo shkallë të procedimit, me kushtin që kohëzgjatja e paraburgimit të mos tejkalohet”.

Trupa e përbërë nga gjyqtarja Edlira Petri dhe anëtarë Valdete Hoxha dhe Ridvan Hado pranuan kërkesën për shuarje të masës së sigurimit , për arsye të  humbjes së fuqisë paraburgimit për tejkalimit të afateve maksimale kohore nga koha e përcaktuar për gjykimin.

Kujtojmë se Denis Demiri u arrestua në Shkurt të vitit 2018 së bashku me të dyshuarin Ardjan Serezi, pasi dyshohet se ekzekutuan biznesmenin Memi Begalla në hyrje të pallatit të tij në Tiranë.

Prokuroria referoi në gjykatë se biznesmeni Begalla mund të jetë vrarë për shkak të një sasie droge prej 1 ton kanabis, që ishte kapur në vitin 2014 në Gjirokastër. Së bashku me drogën ishte ndaluar edhe një nga të dyshuarit e vrasjes, Ardian Serezi.

Burimet thonë se biznesmeni Begalla i kishte dhënë garanci Serezit se do ta ndihmonte të dilte nga burgu, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Dhe për këtë arsye, dyshohet se Ardian Serezi së bashku me Denis Demirin organizuan dhe realizuan ekzekutimin e Begallës, në shenjë hakmarrje se nuk e ndihmoi të dilte nga burgu.

FOTO GALERI
1/11
Pamjet nga kamera e sigurisë

Top Channel