Greqi/ Burri vrau gruan kur mësoi se donte të divorcohej, zbardhen lëvizjet e autorit 1 orë para krimit (DETAJE)

03/08/2021 13:45

Një tjetër krim makabër ka tronditur Greqinë mëngjesin e ditës së sotme. Burri ka vrarë gruan brenda një taverne që ishte në pronësinë e vëllait të viktimës.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:30 të mëngjesit të sotëm, në Sotiritsa, të Larissas dhe sipas informacioneve të para që raportojnë mediet greke burri 54-vjeçar e ka qëlluar tetë herë gruan e tij 43-vjeçare, duke e lënë të vdekur në vend.

Detaje

Mediet greke shkruajnë se gruaja 43-vjeçare dyshohet se donte të divorcohej prej muajsh nga bashkëshorti i saj dhe prej 4 apo 5 muajsh ishte larguar nga Athina në drejtim të Larisës për të qëndruar te vëllai i saj. Burri kur mësoi se gruaja e tij ishte takuar me një avokat pasi shkoi në Larisa, me shumë mundësi për të bërë një kërkesë për divorc, vendosi që ta vriste.

“Ishte një gjë e tillë. Gruaja donte të largohej dhe të ndahej nga ai. Por kur ai e mori vesh, iu qep për ta vrarë”, thonë burime nga vendi i ngjarjes për protothema.gr.

Lëvizjet e 54-vjeçarit një orë para vrasjes

Një orë para se të vriste gruan e tij, rreth orës 9:30 të mëngjesit, 54-vjeçari mbërriti në qytetin e Larissës dhe kërkoi të takohej me avokatin, i cili e kishte udhëzuar viktimën të fillonte procedurat e divorcit.

Fillimisht, 54-vjeçari nuk e gjeti avokatin në zyrën e tij dhe më pas e telefonoi atë. Asnjë kontakt nuk regjistrohet përveç telefonatës, pasi nuk ka pasur takim.

Më pas ai hyri në tavernën e vëllait të viktimës dhe në sy të dhjetëra dëshmitarëve okularë e qëlloi atë për vdekje. Menjëherë, ai u përpoq të arratisej, por sidoqoftë qytetarët që ndodheshin aty arritën që ta mobilizonin atë dhe ta çarmatosnin. Më pas ata thirrën policinë e cila i vuri prangat autorit, ndërsa sa i përket motivit të krimit ende nuk ka një informacion zyrtar nga autoritet.

Policia është duke marrë dëshmitë e personave që u ndodhen në vendin e ngjarjes dhe ka bllokuar tavernën, ndërsa është duke mbledhur të gjitha informacionet për vrasjen e gruas 43-vjeçare.

Pasi të përfundojë çështja, autori do të dërgohet në Prokurorinë Publike të Larissës për të vijuar procedurat e mëtejshme.

“Ai erdhi nga Athina dhe e vrau atë”

Presidenti i T.K Sotiritsas, Vassilis Letsios tha se 43-vjeçarja ishte kthyer në fshatin e saj 4-5 muaj më parë për t’i ardhur në ndihmë vëllait të saj në biznesin që ai kishte, pasi ai ishte i sëmurë.

“Ai nuk jetonte këtu, erdhi nga Athina dhe e vrau atë. Vajza ishte nga fshati, ishte martuar me të nga Athina dhe ata jetonin atje. Megjithatë, disa muaj më parë, për shkak se vëllai i saj ishte i sëmurë rëndë, ajo kishte ardhur në Sotiritsa dhe e ndihmoi në tavernën e tij. Tani askush prej nesh nuk e di se çfarë problemesh kishin me njëri -tjetrin.

Ajo që mësova është se ai erdhi nga Athina dhe e vrau në biznesin e vëllait të saj. Vajza ishte 43 vjeç, ai ishte më i madh. Ata ishin të martuar për shumë vite sepse fëmijët e tyre janë afër 20-ave”, përfundoi ai.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel