Situata me zjarret në qarkun e Vlorës vazhdon të mbetet kritike.

Prej ditësh forcat zjarrfikëse dhe ato të zonave të mbrojtura po përballen me flakët, të cilat vazhdojnë të përhapen me shpejtësi.

Mali i  fshatit Dukat ishte sprova e parë me zjarret në territorin e bashkisë Vlorë, pikërisht në njësinë administrative Orikum.

4 ditë zgjati lufta e efektivëve zjarrfikës në këtë zonë,i cili për shkak të vatrave të mbetura, bëri që zjarrfikësit të riktheheshin disa herë për 4 ditë rresht, ndërsa terreni malor vështirësoi punën e efektivëve zjarrfikës, të cilët i janë ngjitur malit  për  të fikur  zjarrin me mjete rrethanore.

Ndërkohë vetëm mëngjesin e kësaj të premteje u shua vatra e zjarrit në Radhimë, e cila u përfshi nga flakët pasditen e djeshme. Ndërkohë, sipas policisë u arrestua  një 51-vjeçar. Ai dyshohet se u vendosi zjarrin dy parcelave me ullinj në këtë zonë.

Si pasojë e flakëve krahas ullinjve që u dogjën, u rrezikuan edhe dhjetëra biznese e banesa. Fshati Tragjas një tjetër zonë që u përfshi këto ditë  nga zjarret. Dhjetëra hektar pyje dhe shkurre u dogjën, ndërsa 10 forca të zjarrfikëses luftuan me zjarrin për ta  neutralizuar atë .

Ndërkohë në Karabaurun zjarri vazhdon të jetë aktiv. Sipërfaqja e djegur ka shkuar në qindra hektarë, ndërsa forcat zjarrfikëse e kanë të pamundur ndërhyrjen për shkak të terrenit të vështirë.

Të ndodhur në këto kushte dhe në pamundësi për të ndërhyrë, autoritetet prej ditësh vazhdojnë të kërkojnë ndërhyrje nga ajri.

Deri më tani, në terren ndodhen vetëm specialistët e zonave të mbrojtura, ndërsa ditën e enjte këtyre specialistëve iu bashkuan rreth 40 ushtarë të Poshnjës, Beratit dhe Pashalimanit. Sot në Karaburun  po përpiqen me mjete rrethanore të neutralizojnë flakët.

Por terreni malor, era dhe i nxehti po ua vështirësojnë punën. Situata mbetet kritike!

Top Channel