Në shtëpinë e shoferit që humbi jetën/ Punonte prej 5 vitesh, ndërsa prej 1 viti me autobusët e agjencisë “Deva Tours”

25/07/2021 20:01

Naser Sylmetaj 47 vjeçar, është viktima e parë e konfirmuar nga aksidenti i ndodhur në Kroaci.

Sylmetaj ishte shofer autobusi në agjencinë “Deva Tours”, që po dërgonte mërgimtarë nga Frankfurti në Kosovë.

Për këtë, familjarët e tij në Gjakovë kanë hapur dyert për të pranuar ngushëllime.

Djali i axhës së të ndjerit, Muharremi tregon se informacionin e kobshëm e kanë pranuar në ora 8 të mëngjesit.

Lidhur me supozimet se shoferi tjetër që po voziste në momentin e aksidentit, mund të ketë qenë i lodhur nga vozitja e gjatë, Sylmetaj tregon se nuk kanë shumë informacione mbi organizimin e punës.

I ndjeri ka lënë pas vetës gruan dhe tre fëmijë, më të voglin 14 vjeç.

Top Channel ka kontaktuar edhe me menaxherin e agjencisë Deva, të njëjtit përmes telefonit kanë deklaruar se punëtorët bashkë me pasagjer janë nisur nga Frankfurti mbrëmjen e së shtunës në ora 19, derisa aksidenti ka ndodhur mëngjesin e së dielës rreth orës 6 të mëngjesit.

Por, nuk kanë dhënë informacionet të tjera, duke dashur që këto t’i japin organet përkatëse në Kroaci.

 

 

Top Channel