Sekuestrohen disa kilogramë drogë e fidanë kanabisi, arrestohen babë e bir në Fier

24/07/2021 10:51

Një 54-vjeçar dhe djali i tij janë arrestuar në Fier, pasi dyshohet se merreshin me kultivim dhe tregtim droge.

Në operacionin e koduar “Kalldrëmi”, u  sekuestruan 3.2 kg kanabis dhe fidanë droge.  Ndaj Xhemal Çobajt dhe djali t të tij 19-vjeçar, Qamil Çobaj rëndon akuza e prodhimit dhe shitjes të lëndëve narkotike. Ata do të hetohen më tej nga Prokuroria e Fierit.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni policor i koduar “Kalldrëmi”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, Komisariati i Policisë Fier dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”.
Sekuestrohen 3.2 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe fidanë narkotikë.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Kalldrëmi”.

Në kuadër të këtij operacioni, nga kontrolli i banesës së shtetasve Xh. Ç. dhe Q. Ç., u gjetën dhe sekuestruan 3.2 kg kanabis dhe fidanë narkotikë të mbjellë në kuti felizoli.
Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, shtetasit Q. Ç., 54 vjeç dhe Xh.Ç., 19 vjeç (babë e bir), banues në Cakran, Fier.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.

Top Channel