Autori Nevaldo Hajdaraj, viktima Klodian Rasha, momenti i vrasjes, babai Qazim Rasha

Gjykata e Tiranës vendosi ditën e sotme vetëm 10 vite burg për Nevaldo Hajdarajn, efektivin e Shqiponjave që vrau Klodian Rashën në 8 dhjetor të vitit 2020 me një plumb pas shpine vetëm se shkeli orën policore.

Ish polici i forcave shqiponja Nevaldo Hajdaraj  i cili ekzekutoi të riun Klodian  Rasha, është dënuar me 15 vite burg por nga gjykimi i shkurtuar pas pranimit të fajit,  ai do të vuaj  10 vite burg.

Pak përpara leximit të masës së dënimit Nevaldo Hajdaraj i kërkoi ndjesë familjes kur tha se ishte i  penduar për atë që ndodhi.

Kjo ndjesë e ish policit, bashkë me masën e dënimit që mori, nuk janë mirëpritur nga  babai i 25-vjeçarit Klodian Rasha, Qazim Rasha.

“Kjo njollë e zezë nuk do ti hiqet shtetit shqiptar. Pavarësisht alibisë, ngjarjes, tragjedisë, arriti deri aty sa viktima të marrë pozicionin e kriminelit dhe krimineli  petkun e viktimës. Si mund ta quash drejtësi, kur çdo gjë është e qartë dhe me një të rënë të lapsit i jep gjykimin e shkurtuar”, tha ai.

Më 8 dhjetor 2020, në kulmin e pandemisë COVID19 në Shqipëri, pas mesnatës, në zonën e Laprakës, polici i Shqiponjave, Nevaldo Hajdaraj qëlloi dy herë me armën e shërbimit të riun Klodian Rasha, pasi ky i fundit nuk pranoi të ndalonte kur i bëri thirrje.

Për rrethanat e vrasjes pati aludime nga më të ndryshmet por kjo video ekskluzive e Top-Channel solli momentet rrëqethëse të kësaj vrasje me dorën e një punonjësit të policisë së shtetit.

Hajdaraj u arrestua menjëherë dhe ndaj tij nisi procesi i gjykimit, ndërkohë që vrasja hapi një valë zemërimi ndaj qeverisë dhe ish-ministrit të asaj kohe, Sandër Lleshaj madje edhe protesta.

FOTO GALERI
1/13

Top Channel