Foto ilustruese

Disa shtetas janë arrestuar në Korçë, pasi policia identifikoi rrjetet e trafikimit të lëndëve narkotike, në të cilat ata operonin.

Njoftim i i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit, kanë goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit P. Gj., 30 vjeç, banues në Korçë, si edhe u proceduan penalisht shtetasit K. M., A. C. dhe M. S.

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se 30-vjeçari shpërndante në qytet lëndë narkotike në doza të vogla, janë organizuar shërbimet, të cilat kanë bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij në flagrancë duke iu shitur tre shtetasve të tjerë, doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Nga veprimet e mëtejshme procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit P. Gj., shërbimet e policisë gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi tjetër me lëndë narkotike kanabis, si dhe konstatuan dy shtetasit R. G., 31 vjeç dhe D. Xh., 32 vjeç, banues në fshatin Barç, Korçë, duke kryer punime pa leje në banesën e tij, të cilët u arrestuan në kushtet e flagrancës për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel