Holanda i thotë “PO” Shqipërisë/ Pranon të hapen negociatat për anëtarësim pas përfundimit të zgjedhjeve

16/06/2021 13:16

Për herë të parë Holanda  jep dritën jeshile për Shqipërinë që të nisë bisedimet për anëtarësim. Pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme  të marsit ku partia e kryeministrit, Mark Rutte  fitoi mandatin e katërt  për të udhëhequr vendin, Hollanda ka vendosur t’i japë vëmendjen e saj maksimale  proceseve integruese.

Vendi më skeptik i BE-së duket se është bindur tashmë që Shqipëria ka bërë progresin e mjaftueshëm për t’u ulur  me zyrtarët e Brukselit e për të nisur zyrtarisht bisedimet për anëtarësim.

Në mbledhjen e Parlamentit holandez u diskutua gjerësisht çështja e Shqipërisë dhe fati i saj për vijimin e rrugëtimit integrues ku  u vendos të hiqet trau bllokues për mbajtjen e Konferencës parë Ndërqeveritare me vendin tone pas miratimit të kuadrit negociator. Ambasada Hollandeze menjëherë pas vendimit shpërndau qëndrimin e Qeverisë së saj.

“Qeveria holandeze bie dakord që Shqipëria ka bërë progres në fushat prioritare si reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu ‘track record’-i ka shënuar progres, megjithëse një numër më i lartë dënimesh për zyrtarët e lartë mbetet një çështje e rëndësishme për t’u mbajtur në vëmendje.

Sot, shumica e  Parlamentit ra dakord që të mbahet Konferenca e Parë Ndër-Qeveritare me Shqipërinë, pas miratimit të kuadrit negociator. Procedura do te finalizohet neser me votimin e mocioneve te mundshme te ngritura nga partite apo grupet parlamentare”.

Prej shumë vitesh qeveria holandeze ruante skepticizmin lidhur me negociatat,  duke kërkuar  përparim në kushtet e vena. Kthesa e Holandës vjen në një kohë kur Shqipëria  la pas zgjedhjet  parlamentare  ndërsa rezultati  u certifikua nga  Kolegji Zgjedhor.

Top Channel