“Vladi është i zgjuar dhe i fortë”, Joe Biden ndryshon mendim për Putinin!

15/06/2021 15:08

Joe Biden nisi të qeshë kur e pyetën nëse mendon ende që Vladimir Putin është një vrasës, dhe tha se lideri rus është në fakt “një kundërshtar i denjë”.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë i bëri komentet gjatë një konference për shtyp, ku u shfaq me dy orë vonesë. Kur u pyet në muajin mars në një intervistë për ABC nëse besonte se presidenti rus ishte vrasës, Biden u përgjigj: “Mmm, po, ashtu mendoj”. Tani, përpara takimit të tij me të në Gjenevë të Zvicrës, nuk i kurseu komplimentat për homologun rus, duke e quajtur “të zgjuar” dhe “të fortë”.

E kam pasur përballë Putinin. Është i mprehtë dhe i fortë, dhe nga sa kam arritur të zbuloj, është praktikisht një kundërshtar i denjë”, tha Biden.

Biden më herët mëgjithatë e përcolli një paralajmërim për Putinin teksa i kërkoi shefit të Kremlinit të heqë dorë nga aktet provokuese ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve. Krerët e NATO-s bashkuan zërat me Shtetet e Bashkuara duke e akuzuar zyrtarisht Moskën dhe Pekinin për veprime dashakeqe.

Biden tha se gjatë takimit të tyre do t’ia bëjë të qartë Presidentit Putin se ka fusha ku mund të bashkëpunojmë, nëse ai është i gatshëm. “Por nëse ai preferon të mos bashkëpunojë, nëse vepron në të njëjtat forma si më parë lidhur me sulmet kibernetike dhe veprime të tjera, atëherë do të përgjigjemi me të njëjtën monedhë”, u shpreh kreu i shtetit amerikan.

Vizita e tij tetë ditore në Europë po dëshmohet gjithmonë e më qartë si një përpjekje për t’u siguruar se Perëndimi flet me një zë të vetëm përballë Rusisë dhe Kinës.

Top Channel