Flamurtari bie në kategorinë e dytë/ Dëshpërimi i ish-futbollistëve vlonjatë për gjendjen e keqe të ekipit

07/06/2021 21:11

Për herë të parë në histori, një nga skuadrat më të mëdha në histori, Flamurtari, ka zbritur në kategorinë e dytë, që në hierarkinë e futbollit shqiptar është kategoria e tretë, pasi u mund nga Tërbuni i Pukës me penallti 5-4.

Një lajm, sa jo i mirë në aspektin sportiv, aq edhe i trishtë për ata që i dhanë emrin dhe historinë që qajnë sot të gjithë me mungesën e skuadrës vlonjate.

Vasil Ruçi tregon për Top Channel më tepër se si e përjetoi këtë ngjarje:

Në vitin 1995 erdha nga Greqia për të parë ndeshjen e Flamurtarit ku vetëm Rrapo Taho luante nga brezi ynë, linte fanellën atë ditë dhe stadiumi ishte bosh, aty kam derdhur për herë të parë lot dhe dje. Flamurtari është histori”, u shpreh ish-futbollist i Flamurtarit, Vasil Ruçi.

Çfarë do të thotë Flamurtari për një ikonë të tillë si Ruçi?

Flamurtari për ne ishte shtëpia jonë e dytë dhe unë do ta krahasoja me një manastir dhe ne ishim murgjit e atij manastiri. Ne atje kemi kaluar të gjithë jetën tonë, dhe shokët e ekipit nuk ishin thjeshtë bashkë lojtarë por ishim vëllezër”, thotë ai.

Po kaq i zhgënjyer duket të jetë edhe Roland Iljadhi, një tjetër emër i Flamurtarit të madh:
Nuk e mendonim kurrë, është një turp i madh për futbollin vlonjat dhe atë shqiptar”.

Një moment kyç ky për skuadrën e Flamurtarit dhe ku kërkesa për zgjidhje është më imediate se kurrë.

Po ta shohësh si e paralajmëruar më duket e zhveshën komplet nga të gjitha pikpamjet. U bëj thirrje të gjithëve të afrohen ta ndihmojnë Flamurtarin, duke filluar nga kryetari i bashkisë, dhe të gjithë administratorëve të tjerë që duan ti shërbejnë këtij futbolli, këtij emri të madh”.

Ky qytet ka nevojë që njerëzit dhe sidomos brezat e rinj dhe fëmijët të jenë pranë sportit dhe pranë futbollit pasi kanë ca mësojnë nga brezat paraardhës”, shton Ruçi.

Top Channel