NYT: Shumë përpara divorcit, Bill Gates kishte një reputacion për sjellje të dyshueshme me punonjëset (fotot)

17/05/2021 19:45

Kur Melinda French Gates vendosi t’i japë fund martesës së saj 27-vjeçare me Bill Gates, burri i saj njihej publikisht si pionier i programeve kompjuterike, miliarder dhe filantropist global.

Por në rrethe të tjera Bill Gates kishte krijuar një reputacion për sjellje të dyshueshme në ambjentet e punës, dhe këto të fundit po marrin vëmendje tani gjatë divorcit të një prej çifteve më të fuqishme të botës.

Në 2018, zonja French Gates nuk ishte e kënaqur me trajtimin që burri i saj po bënte ndaj një pretendimi për ngacmim seksual nga financieri i vjetër i Bill. Kur zoti Gates lëvizi për ta mbyllur çështjen në mënyrë konfidenciale, zonja French Gates insistoi për një hetim të jashtëm. Por menaxheri i tij Michael Larson, mbetet në vendin e tij të punës.

Në të paktën disa raste, zoti Gates kishte përndjekur femra që punonin për të në kompaninë  Microsoft dhe në fondacionin Bill e Melinda Gates, sipas personave me njohuri për çështjen.

Në vitin 2019, bordi i drejtorëve të Microsoft, ku merrte pjesë dhe zonja Gates, hapi një hetim për një nga rastet kur Bill raportohet se “kishte kërkuar marrëdhënie intime me një punonjëse në vitin 2000,” tha dje Frank X. Shaw, zëdhënës i Microsoft. Një vit më vonë  zoti Gates dha dorëheqjen nga bordi Microsoft.

“Ka pasur një çështje para 20 vjetësh që u mbyll në mënyrë miqësore,” tha Bridgitt Arnold, zëdhënësja e Gates. “Vendimi tij për largimin nga bordi nuk kishte lidhje me këtë çështje”, shtoi ai.

Dhe më pas është çështja e Jeffrey Epstein, me të cilin Gates ishte njohur që prej vitit 2011, tre vjet pas akuzave të para për trafik seksual ndaj Epstein, dhe nxitje të prostitucionit nga vajza minorene.

Zonja French Gates kishte shprehur sikletin e saj për shoqërimin e të shoqit me një shkelës seksual të dënuar, por zoti Gates vazhdoi ta bënte këtë.

Kështu që kur në vitin 2019, marrëdhënia mes Gates dhe Epstein doli në syrin e publikut, zonja  French Gates nisi procedurat e divorcit duke u konsultuar me avokatët, procesi që kulminoi këtë muaj me njoftimin zyrtar.

Shumë burime thonë se zoti Gates është përfshirë në disa marrëdhënie në ambjente pune, që nuk i shkojnë per shtat drejtuesit të një prej kompanive më të mëdha të botës dhe një prej filantropëve më me influencë.

Zoti Gates e zonja French Gates takoheshin në punë dhe teknikisht ai ishte shefi i saj. Ai drejtonte grupin Microsoft, ku ajo kishte nisur të punonte prej vitit 1987. Gjatë marrëdhënies së tyre ata shpesh përmendin detaje romantike të lidhjes së tyre.

Por pas martesës së tyre në 1994, Gates raportohet se nisi ‘ndjekjen’ e grave nëpër zyrat e tij, siç ishte rasti i vitit 2006, kur pas prezantimit të një punonjëse të Microsoft, Gates, i kërkoi asaj të dilnin për darkë bashkë. “Nëse kjo të vë në siklet, hiqu sikur nuk ka ndodhur kurrë”, i shkruante ai mes të tjerash punonjëses së tij. /NYTimes/

Top Channel