Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta po zhvillon mbledhjen e radhës, ku po diskutohet për pamjet filmike dhe deklaratat e presidentit, të cilat do përdoren si prova.

Gjatë mbledhjes janë transmetuar dalje publike të Metës në programe televizive, të siguruara nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, ku ai përdor një gjuhë të ashpër dhe fyese ndaj anëtarëve të qeverisë aktuale shqiptare.

Deputeti Edmon Stojku sugjeroi që të përfshihen në hetim edhe pretendimet e mediave në lidhje me lëshimin e nënshtetësive.

Ndërsa kryetari i komisionit, Alket Hyseni tha se një kërkesë e tillë duhet të paraqitet në Kuvend e nëse atje konfirmohet, mund të ndërmerret edhe një akt i tillë.

“Kërkesat duhet të paraqiten në Kuvend. Ne mund t’i drejtojmë një kërkesë Presidentit të Republikës. Nëse Komisioni e çmon, i kërkojmë një kërkesë ekstra Presidentit, ku t’i kërkohet volume i punës në lidhje me nënshtetësisë, por kjo është në diskutim”, tha Hyseni.

Nga ana tjetër, Spartak Braho  i cilësoi përmbajtjet filmike të Presidentit denigruese e fyese dhe në kundërshtim të plotë sipas tij me ligjin.

“Janë rreth 40 postime me përmbajtje kriminale, totalisht në kundërshtim me ligjin, komplote, fyerje ndaj funksionarëve shtetërore dhe ndërkombëtar. Këto janë konstatime të presidentit. Pyetja shtrohet. A i është drejtuar Presidenti ndonjë organi shtetëror, ligjzbatues, për t’ia paraqitur këto denoncime. Në dijeninë time jo, por kjo duhet hetuar. Nuk mund të hedhësh akuza, respekto organet ligjzatuese, janë ato që ndjekin, arrestojnë”, tha Braho.

Anëtarja e komisionit, Klotilda Bushka renditi fjalët denigruese e fyese të Metës para dhe gjatë fushatës elektorale.

Në planin e hetimit, thuhet qartë që Presidenti i Republikës ka kryer akte para dhe gjatë fushatës elektorale, akte që shkelin Kushtetutën. Ai ka folur edhe gjatë ditës së heshtjes zgjedhore“, thotë Bushka.

Top Channel