“Betohem në Zot që jam i pafajshëm, jam rritur jetim”/ U kapën me kokainë, efektivi Lici i përlotur. Ded Nimani lihet në burg

17/05/2021 11:33
Efektivi Xhulio Lici dhe Ded Nimani

Gjykata ka dhënë masën arrest me burg për Ded Nimanin dhe arrest me burg me afat 35 ditë për efektivin Xhulio Lici pasi disa ditë më parë u kapën me kokainë.

Edhe më herët në dëshminë e Licit , që Top Channel e publikoi ai pati thënë se : “Unë jam polic në Fier dhe po udhëtoja nga ky qytet drejt Tiranës . Përgjithësisht rrugës së kthimit marr njerëz. Në zonën e plepave një person ngriti dorën dhe unë e mora në makinë. Me vete kishte një pako që e vendosi në bagazh‘.

Të njëjtën gjë ai tha dhe para autoriteteve, ndërsa gazetarja Anila Hoxha ka zbardhur dëshminë e tij: ‘Betohem në Zot që s’kam bërë asgjë. Nëse e kam bërë më dënoni 100 vjet ”.

I përlotur në seancë, gazetarja Anila Hoxha raporton se Lici tha: Pashë një burrë të vjetër , kur shoh njerëz të moshuar më vjen keq se jam rritur jetim dhe jam human.

U kërkoj falje të gjithëve , shokëve, miqve kolegëve që ndodhem sot këtu në kafaz. Kam besim që pafajësia ime do zbardhet. Kërkoj lirimin, me lejoni të shkoj në punë, unë jam polic.  Kam ushtruar detyrën time me shumë dinjitet, për 6 vite me radhë.

S’kam asnjë vërejtje në detyrën time dhe në punë. Kam qenë i përkushtuar. I vetmi defekt i imi që sa herë udhëtoj ndihmoj njerëz siç ndihmova atë ditë.

Ndërkohë Nimani të cilin e mori rastësisht oficeri i RENEA në makinë tha : Gjatë hetimit do tregoj ku e bleva kokainën.

Ndërkohë kujtojmë se për ngjarjen ka dhe një të arrestuar të tretë Luan Gaci, i cili dhe ai  u la në arrest me burg. Seanca u shqyrtua nga gjyqtarja Shefkie Demiraj.

Në dosjen që TCH disponon thuhet se vëzhgimi nisi pas një informacioni të sigurt që vuri në dijeni antidrogën se disa shtetas do blinin ne sasi prej 1 kg apo 2 kg kokainë për ta shpërndarë me pakicë në Tiranë.

Lexo edhe: https://top-channel.tv/2021/05/16/rrefimi-i-policit-qe-u-kap-me-kokaine-nuk-kam-lidhje-ishte-rastesi-por-per-3-te-ndaluarit-prokuroria-ka-kerkuar-arrest-me-burg/

Top Channel