“Për fëmijët e bluzave të bardha të rëna në krye të detyrës” Rama: Ndihmë e posaçme deri në moshën 18-vjeçare

12/05/2021 18:56

Kryeministri Edi Rama gjatë aktivitetit në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Infermierëve, ku e pranishme është edhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim tha se në mandatin e tretë do të ketë një ndihmë të posaçme për fëmijët e bluzave të bardha të rënë në krye të detyrës.

Ndërsa shprehu mirënjohje për të gjithë, përfshirë mjekë dhe infermierë, ai theksoi se për ta do të ketë një kujdes të posaçëm nga shteti deri kur të mbushin moshën madhore, 18 vjeç.

” I jam shumë mirënjohës urdhrit të Infermierëve për këtë mundësi që na jep që të nderojmë me përulësi dhe mirënjohje ato që nuk janë më mes jush dhe njëkohësisht ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’ju përcjell juve shprehjen më të sinqertë të respektit dhe mirënjohjes, sepse ju e dini që cilido prej jush. Një falënderim shumë të madh për të gjithë ju dhe kolegët që nuk janë këtu sot me ne për shkak të detyrës. Nga ana tjetër, duke parë fotografitë e kolegëve dhe kolegeve që humbën jetën në këtë përpjekje më duket vendi i duhur për ta përsëritur një angazhim që e kam marrë që përpara ditës së zgjedhjeve që vendimin e parë të qeverisë së re ne do ia kujtojmë atyre që quajmë me plot gojës fëmijë të Republikës, vajzat dhe djemtë e të gjithë njerëzve që i kanë shërbyer qytetarëve dhe shtetit dhe kanë rënë në krye të detyrës dhe fëmijët e të rënëve në krye të detyrës mes bluzave të bardha nuk do jenë vetëm pasi me këtë ligj të ri, për ta deri në ditën e daljes së tyre të pavarur në jetë do të kujdeset shteti në mënyrë të posaçme”, tha Rama.

Bluzat e bardha kanë qenë më të rrezikuarit gjatë përballjes me pandeminë e COVID-19, të cilët lanë edhe gjërat më të shtrenjta për të ushtruar detyrën e tyre, të shpëtonin jetë.

Me javë e muaj larg familjarëve të tyre ata u përballën me armikun e padukshëm në çdo moment, ishin aty duke rrezikuar jetën  e tyre.

Muret e spitaleve panë emocione pozitive dhe negative, pacientë që shëroheshin, humbje jete në ata shtretër të bardhë, tension buzëqeshje dhe lot, por ajo që na mbajti gjallë se do të dukej një copëz dritë në fund të tunelit ishte shpresa.

Top Channel