Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) ka dorëzuar në KQZ kërkesë ankimore për qarkun e Durrësit.

LSI kërkon rinumërimin dhe rivlerësimin e votave për të gjitha ZAZ-të të qarkut të Durrësit si dhe miratimin e tabelës përmbledhëse për zonën zgjedhore të këtij qarku, duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votave.

Sipas LSI në disa ZAZ të qarkut të Durrësit janë gjetur fletë votimi pa vulë. Po ashtu, sipas LSI ka pasur edhe tentativë votimi të dyfishtë nga i njëjti zgjedhës dhe mungesë filmimi me kamera në një qendër votimi.

“Nga informacioni i vënë në dispozicion rezultoi se në disa QV u gjendën në kutinë e fletëve të votimit fletë pa vula, fakt i cili përveç se bie në kundërshtim me parashikimet e Kodit Zgjedhor dhe Akteve Normative të miratuara nga Komisioni Rregullator, përbën indicie dhe provë të qartë dhe na bën të besojmë se janë futur fletë votimi nga jashtë QV-ve, të cilat kanë qarkulluar dhe janë plotësuar nga subjekti politik si garanci që votuesit e intimiduar, ndikuar apo blerë që të mos mashtronin.

Në çdo ZAZ janë konstatuar tentativa për votim të dyfishtë nga i njëjti zëdhënës.

Është konstatuar mungesa e filmimit me kamera në Qendrën e votimit 1257. Ky fakt bie në kundërshtim të plotë,” thuhet në kërkesën e LSI.

Kujtojmë se, LSI më herët ka ankimuar gjithashtu rezultatin në qarqet e Beratit dhe Gjirokastrës. Përmes Altin Kaziaj përfaqësues ligjor, fokusim më të madh të ankimimit e ka në qarkun e Beratit. Kërkesës së parë ankimore me numër 34, ku kërkon rinumërim dhe rivlerësim të votave në qarkun Berat I shtoi edhe një tjetër atë me numër 35 ku kërkon shpalljen e pavlefshmërisë të procesit të votimit në qarkun Berat dhe ripërsëritjen e tyre.

Edhe PD ka ankimuar rezultatin për 9 qarqe duke dorëzuar 10 dosje voluminoze që sipas saj faktojnë tjetërsimin e votës.

PD kërkon që KAS të shpallë pavlefshmëri të zgjedhjeve në Shkodër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Vlorë, Fier, Berat, Gjirokastër dhe Korçë. Kjo pavlefshmëri e kërkuar nga PD argumentohet me faktin se socialistët kanë përdorur burimet shtetërore për të ndikuar në rezultat apo janë dhënë legalizime dhe dëmshpërblimet nga tërmeti duke ndikuar vullnetin e qytetarëve.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel