Në Shqipëri me 108 mln dollarë/ Dalin pamjet brenda hotelit në Tiranë të bosit të kriptomonedhës turke (Fotot)

08/05/2021 08:30
Pamjet nga hoteli ku po qëndronte Faruk Fatih Özer

Pamjet e milionerit të kriptomonedhës turke Faruk Fatih Özer  i cili është shpallur në kërkim dhe mendohet se fshihet në Shqipëri, teksa kryen disa procedura në një hotel në Tiranë janë publikuar.

Sipas medias turke, themeluesi i shkëmbimit të monedhës kripto Thodex, shoqërohet nga një person tjetër që edhe e ka pritur në aeroportin “Nënë Tereza”.

Sipas të dhënave të deri më tanishme Faruk Fatih Özer, shefi i arratisur i shkëmbimit të monedhës kripto me emrin Thodex, i kërkoi motrës së tij Serap Özer të gjitha dokumentet e kompanisë më 18 Prill për shkak të problemeve të biznesit dhe iku në Shqipëri dy ditë me vonë.

Në deklaratën e saj, Serap Özer, e cila u ndalua për hetim, deklaroi se vëllai i saj Faruk Fatih Özer kërkoi një raport piraterie të kompanisë në 18 Prill, 2021, dokumente në lidhje me rastet e kompanisë, bilancin e gjykimit dhe dokumentet e buxhetit e vendimin.

Özer shkoi jashtë vendit me këto dokumente dhe miliona dollarë para kripto që fitoi duke mashtruar 400 mijë njerëz.

Ai është parë në njërin nga hotelet në Tiranë ku ka qëndruar pas arratisjes së tij dhe është parë në shoqërinë e një burri, identiteti i të cilit nuk është bërë ende i ditur.

Shtetasi shqiptar me të cilin ai u pa në foto është ai që e priti në aeroport dhe e çoi në hotel dhe që aktualisht është në kërkim nga policia shqiptare mes të dyshuarve.

Ndërkohë që mediat turke bëjnë të ditur se biznesmeni turk po fshihet në Shqipëri nga mafia,  duke e bërë më të vështirë edhe identifikimin e vendndodhjes së tij, ata deklarojnë se ai po mbrohet në këmbim të ryshfetit.

Autoritetet turke në anën tjetër kanë vazhduar operacionet për kapjen e bosit të kriptomonedhës turke “Thodex”që dyshohet se fshihet prej dy javësh në Shqipëri bashkë me një server, brenda të cilit mbahen 108 milionë dollarë në kriptomonedha.

Mediat turke raportojnë se policia ka dërguar një ekip prej pesë personazh në Ballkan, ku njëri prej tyre është duke punuar me autoritetet shqiptare me qëllim gjetjen dhe kapjen e Faruk Fatih Özer, i cili dyshohet se ka zhdukur rreth 2 miliardë dollarë të më shumë se 390 mijë investitorëve në kriptomonedhën turke “Thodex”.

Ndërkohë, katër të tjerë kanë shkuar në Kosovë, Maqedoni, Bosnje dhe Mal të Zi ku dyshohet se turku mund të arratiset.

Më herët, policia zbuloi edhe vendndodhjen e tij duke dhënë edhe adresa.

Media turke “EnSonHaber” shkruante se pas ardhjes në Shqipëri, Faruk Fatih Özer u vendos në një hotel pranë Zogut të Zi në Tiranë duke prenotuar tre net, por se doli prej andej natën e dytë duke u fshehur në një shtëpi pranë zonës së “Pazarit të Ri” në Tiranë. Ajo ishte shtëpia e çiftit që e priti në Rinas.

“EnSonHaber” raporton duke iu referuar burimeve nga policia turke se Faruk Fatih Özer  nuk ndejti shumë aty pasi u zbulua nga autoritetet duke u transferuar në një tjetër zonë, pikërisht në zonën e “Myslym Shyrit” në kryeqytet.

Gjithashtu edhe ai vend u zbulua dhe së fundmi ai u zhvendos në zonën e “21 Dhjetorit” ku edhe ka humbur gjurmët.

Ndërkohë, policia ka blinduar edhe Fierin e Vlorën pasi dyshohet se Faruk Fatih Özer mund të arratiset me skaf për në Itali.

 

FOTO GALERI
1/8
Faruk Fatih Özer

Top Channel