Kamioni me mallra ushqimorë merr flakë, tymi i zi dhe zjarri bllokojnë qarkullimin

08/05/2021 14:50
Pamje nga kamioni i përfshirë nga flakët

Një kamion i ngarkuar me mallra ushqimorë ka marrë flakë në lëvizje e sipër disa kilometra larg Tepelenës, tek kthesa e Përmetit.

Qytetari i ndodhur në vendngjarje tha për Top Channel, se zjarrfikësit  mbërritën vetëm pas 40 minutash, kur kamioni ishte shkrumbuar i gjithi.

Drejtuesi i mjetit, 60-vjeçari me iniciale Xh.K., që ishte i vetmi person në kamion ka marrë dëmtime prej goditjes dhe prej flakëve dhe tymit dhe është transportuar fillimisht për në spitalin e Tepelenës e më pas të Gjirokastrës.

Forcat zjarrfikëse kanë shpëtuar drejtuesin e mjetit i cili është jashtë rrezikut për jetën. Hetimet paraprake ngrenë dyshime se kamioni mund të jetë përplasur fillimisht me bordurën e rrugës dhe pas kësaj ka marrë flakë.

Aksidenti ka shkaktuar bllokimin e rrugës për më shumë se 30 minuta, ndërsa aktualisht situata është normalizuar.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 14:00, njoftohemi se në aksin nacional Gjirokastër- Tepelenë një kamion i ngarkuar me materiale ndërtimi është përplasur me barrierat anësore të rrugës dhe është përmbysur duke marrë flakë.

Për pasojë është dëmtuar drejtuesi i kamionit shtetasi Xh. K., rreth 60 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spitalin Rajonal Gjirokastër jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje shkuan shkuan shërbimet e policisë dhe zjarrfikëse, të cilët bënë të mundur shuarjen e flakëve.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Top Channel