“Djali im la abetaren në mes”/ Zamira Durdaj flet pas kërkesës së SPAK për rihapjen e dosjes së Gërdecit: PD humbi zgjedhjet prej Mediut

06/05/2021 13:38

Zamira Durdaj, nëna e 7-vjeçarit që ka bërë kallëzim në SPAK për të rihapur hetimet për Fatmir Mediun në lidhje me tragjedinë e Gërdecit ka hedhur akuza të forta ndaj Ministrisë së Mbrojtjes duke thënë se “i vrau”.

Në një intervistë për “Breaking” në Top News, Durdaj tha se akuzën ndaj Mediut e ka drejtuar se u pushuan hetimet në Gjykatën e Lartë për shkak të imunitetit.

Durdaj: Të shikojmë a do rihapet se i është bërë kërkesë Gjykatës së Lartë dhe do shikojmë si do vijojnë ngjarjet.  Jam zhgënjyer në të gjitha shkallët e gjyqësorit, duke nisur nga hetimi i prokurorisë që u pushua për shkak të imunitetit të ish ministrit dhe për shkak të rrethanave që kishin të pandehurit.

Në shkallën e parë u bë gjykim i gjatë, zgjati 5 vjet, u rrëzua akuza me burgim të përjetshëm, e falsifikimit të firmës. Janë një sërë provash në dosja dhe për këtë jam e pakënaqur. Jam përballur me vendime qesharake.

Në Gjykatën e Apelit, u pranua gjykimi i shkurtuar pas 5 vitesh hetime dhe askush nuk bëri burg për dosjen “Gërdeci”. Edhe Ylli Pinari u lirua nga burgu. Dritan Mixholli u lirua se gjeti punë. Këto janë ata që na kanë zhgënjyer gjithë kohës.

Çështja për Mediun është pushuar në Gjykatën e Lartë për shkak të imunitetit. Kemi bërë kërkesë por nuk është hapur asnjëherë që nga 2009. Nga prokuroria nuk u hetua për korrupsion se nga babëzia për para ndodhi Gërdeci. Për 29 të pandehurit e tjerë, viktima nuk ka qenë përfaqësuese. Kudo më thonin që do të më nxirrnin jashtë. Nëse do të rihapet dosja e Gërdecit dhe viktimat do të jenë palë, po.

Durdaj tha se nuk ka asgjë personale me Fatmir Mediun, por ishte ministër i mbrojtjes kur ndodhi tragjedia ndaj gjithçka dëshiron është drejtësia.

Durdaj: Duke parë në syrin e jashtëm si banorë të zonës, aty vepronte ushtria shqiptare. Ne nuk ishim në luftë që të mbroheshim. Nuk më shkonte asnjëherë në mend që ushtria, ministria e mbrojtjes të na vriste. E kam me institucionin, jo me ish ministrin, ndaj duhet të përgjigjet për ato gjëra. Drejtësia është motivi i jetës për të cilin jetoj, vendosja e drejtësisë për tim bir. Fëmija im la abetaren në mes.

Ndër të tjera, nëna theksoi se nuk ka asnjë lidhje me politikën dhe do të luftojë deri në fund për drejtësi, ndaj mbetet në pritje të përgjigjes së Gjykatës së Strasburgut.

Durda: Deri në vendosjen e drejtësisë. Ai ishte 7 vjeç, nuk dinte çfarë ishin predhat e municionet. Gjithë këto transporte i bënte ministria dhe kur e gjeta në spital, më kërkoi falje se kishte dalë pa leje. Jam betuar para varrit të tij se do luftoj për drejtësi.

Nuk kam asnjë lidhje me Mediun, as me Ramën. Kam kërkuar drejtësi që në fillim. Nuk kam lidhje fare me qeverinë, jam drejtuar në drejtësi që në 2008 dhe vazhdoj të këmbëngul, asnjëherë me politikën. Kemi qenë në pritje të një përgjigje, jam në pritje edhe të përgjigjes së Gjykatës së Strasburgut.

Ndërsa humbjen e PD në zgjedhjet e 25 prillit e lidhi me përfshirjen e Mediut në listën e kandidatëve për deputetë. Durdaj tha se i kishte bërë kërkesë KQZ që të mos e regjistronte, por nuk u mor asnjë veprim për këtë çështje.

Durdaj: Nuk kam çfarë them, nuk kam asnjë mesazh thjesht të mos vendosë pengesa sepse gjithmonë ka pasur ndërhyrje politika në dosjen e Gërdecit. Ne i kemi bërë kërkesë KQZ që të mos e regjistronte si deputet dhe PD meqë e futi në listë, edhe për këtë duhet të shikojë humbjen. Nëse unë do fitoj drejtësi për fëmijën tim, fëmija im nuk vjen më, por kërkoj drejtësi që të mos merret jeta në mënyrë të padrejtë sic ndodhi me tim bir. Nuk bëri ndonjë gabim që doli të lozte me biçikletë, por mund ta kisha ruajtur. Dhe ai që më kërkon falje kur e gjeti në spital. Kur fëmija me 70% të trupit kërkon falje, mua çfarë më ngelet.

Top Channel