Basha, thirrje punonjësve të administratës: Mos kini frikë, votoni masivisht për ndryshimin!

23/04/2021 14:48

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndalesën e radhës e pati në qytetin e Lezhës.

Në fjalën e tij para lezhjanëve, Basha bëri thirrje që të gjithë shqiptarët të dalin të votojnë numrin 9 ditën e diel që të sjellim ndryshimin që Shqipëria ka nevojë. “Mirë se ju gjej në qytetin e besëlidhjes së Kastriotit ku princat shqiptarë u bashkuan e përmes bashkimit i dha në fuqi, lavdi dhe fitore Arbërisë e nuk e lan të fikët vatrën e shqiptarisë. Ja ku jemi prapë sot stërnipa të këtyre princave, bashkë për ndryshim”.

Basha foli dhe për punonjësit e administratës dhe u kërkoi të votojnë pa frikë në 25 prill. “Sot, kam një thirrje për çdo punonjës të administratës që paguhet me taksat tona dhe që kërkon t’i shërbejë ligjit dhe qytetarëve por është skllavëruar nga padronët e tyre që pasurohen çmendurisht duke vjedhur taksat e shqiptarëve. Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj të administratës publike. Harrojini tamtamet e atij që e di që me 25 prill ditën e diel e pret humbja më e thellë dhe Shqipërinë fitorja më e madhe. Asnjë frikë për ju. Me 25 prill ne do të largojmë vargonjtë që ju kanë skllavëruar, padronët që ju shfrytëzojnë deri në palcë për bukën e gojës së fëmijëve tuaj. Ata që mbahen me taksat e shqiptarëve dhe ju që do të keni mundësinë të shërbeni me nder, ligjit dhe qytetarëve”.

Marshojmë krah për krah për fitoren më të thellë, për fitoren më të thellë, për fitoren më të bukur, fitoren e çdo shqiptari. Për 11 orë, për 11 orë do të mbyllet zyrtarisht fushata. Ky turë i mrekullueshëm shprese dhe besimi që i ka mbushur zemrat e nënave tona, të motrave tona, të vëllezërve dhe të baballarëve tanë me shpresën dhe besimin për fitoren e sigurt, të madhe dhe të thellë që po vjen”.

Top Channel