Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur mëngjesin e sotëm shpërndarjen e materialeve zgjedhore në 8 qarqe, ku përfshihen fletët e votimit, vulat, dhomat e fshehta e votimit, kamerat e sigurisë, posterat informues dhe mjetet për mbrojtjen nga COVID dhe të gjitha mjetet e tjera që duhen për ditën e votimit, të certifikuara nga KQZ.

Ditën e nesërme do të shpërndahen për 4 qarqet e tjera.

Materialet zgjedhore do të shpërndahen në 92 KZAZ-të e vendit nga mjetet e ushtrisë dhe do të ruhen nga ato deri në ditën e votimit më 25 prill. Shpërndarja nisi nga vendgrumbullimi i materialeve zgjedhore në Lundër drejt 8 qarqeve të vendit, ku sot do të çohen për KZAZ-të e Vlorës, Shkodrës, Korçës, Gjirokastrës, Dibrës, Beratit,  Fierit dhe Kukësit. Ndërsa ditën e nesërme do të shpërndahen për 4 qarqe të tjera, atë të Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Lezhës.

Shpërndarja qw ditwn e dielw më 25 prill gjithçka të jetë gati për zgjedhjet, ku qytetarët do të hedhin votën e tyre dhe do të vendosin për qeverinë e re në 4 vitet e ardhshme.

Gjithashtu përveç fletëve normale të votimit, KQZ ka printuar edhe fletët e veçanta për të verbrit që do të votojnë, në alfabetin Brail. Për zgjedhjet e 25 prillit janë printuar 3.660.647 fletë votimi, që do të shpërndahen në të gjitha qendrat e votimit që janë 5199 në të gjithë vendin.

Zgjedhjet e 25 prillit do të monitorohen nga 65 ekipe vëzhgimi nga OSBE/ODIHR dhe 50 ekipe nga BE në të gjithë vendin, të cilat do të shohin nga afër si qendrat e votimit dhe procesin e numërimit në lidhje me mbarëvajtjen e tyre.

Nga dita e nesërme, të 72 institucionet në vend që gëzojnë statusin e objekteve të rëndësisë së veçantë do të merren në mbrojtje nga forcat e ushtrisë, në kuadër të masave shtesë për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ku përfshihen godina e Kryeministrisë, të gjitha dikastereve të ministrive, selitë diplomatike me rëndësi në kryeqytet, duke filluar nga godina e Ambasadës Amerikane, Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese,  Gjykata e Posaçme dhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Sot, përfundon shpërndarja e materialeve zgjedhore për qarqet Vlorë, Shkodër, Dibër, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Fier, Berat. Nesër do të shpërndahen në Tiranë, Elbasan, Durrës & Lezhë. Në çdo QV do të ketë shabllonë (për FV ) në alfabetin braille për votuesit që nuk shikojnë”, shkruan KQZ në njoftim.

Top Channel