Ekskluzive/ “Metit i vunë pistoletën në kokë”/ Rrëfimi i dëshmitarëve të ngjarjes: Si u ndalua makina nga grupi i PD

22/04/2021 15:28

Dëshmitarë të ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë në Elbasan kanë rrëfyer momentin e ndalimit të Mehmet Grecës nga ana e mbështetësve të PD-së.

“Mehmet Grecën e morën dhe e futën matanë. Ai ka thyer nofullën e ka me platin e i thash që çfarë keni. Unë thashë se janë të policisë, por ata e morën Metin. Pas kësaj pamë që erdhi një burrë dhe u përleshën. Ai erdhi në këmbë, nuk e pashë si person. Ai nxori pistoletën dhe e vrau bau bau. Një tjetër u shtri këtu, kur mbaruan shkrepjet ai iku me vrap andej. Kërciti shumë arma”, tha njëri nga dëshmitarët, zoti Musai.

Ndërsa një tjetër dëshmitar thotë se Arbër Papleka qëlloi mbi 5 herë mbi viktimën dhe mbi të tjerët.

“Qëlloi mbi 15 herë edhe policisë e të gjithëve, nxori karikator tjetër ,qëlloi kapi të gjithë territorin shti ktej shti andej, njerëzit duke bërtitur,  nuk po merrej vesh se çfarë po bëhej. I vuri Metit armën në kokë. Persona të tjerë ishin që ishte plagosur. Klment Xhaferri ka 2 vite që s’ka qenë më në lagjen tonë. Asnjë tjetër nuk ka pasur armë, erdhi policia . Ai u tremb dhe qëlloi sërish mbi viktimën, ai largohej dhe vijonte të qëllonte akoma”, tha një tjetër dëshmitar.

“Ai nuk kishte asgjë, erdhi për t’i heq Metin nga dora, por ai vijoi t’i shtinte, ne kemi parë tmerr ka shtirë mbi 15 herë. S’kishim kohë që të filmonim, ai cilin të shikonte u kapte u merrte telefonin nga dora. Si kishim parë më parë ata persona, që dje kishte 3 furgona, vinin iknin. Ata kanë terrorizuar të gjithë njerëzit. Armë nuk kemi parë tek viktima, ai desh na vrau fëmijën pasi nxori armën këtu. ata më thanë që jemi të partisë për të mbrojtur votën”, tha një tjetër person që pa ngjarjen.

Kujtojmë se deri më tani janë arrestuar deri më tani 11 persona dhe një është në kërkim, Klement Xhaferri.
Arbër Paplekaj, është i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim.

Ndërsa personat Arjan Hoxha, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa, Nuredin Kasma,janë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë” në bashkëpunim.

Gjithashtu në flagrancë është arrestuar Eldjo Beko, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Nga përplasja e mbështetësve të dy partive më të mëdha në vend atë të PD-së dhe PS-së mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 të tjerë.

Efektivja e policisë, Xhensila Sota është në spitalin e Traumës bashkë me Emiljan Prengën dhe Pavlo Vuksanin, ndërsa Eltjon Bodinaku ndodhet ende në spitalin e Elbasanit. Sipas informacioneve, të katër janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Top Channel