Ngjarja në Elbasan, të plagosurit nisen drejt Tiranës për mjekim më të specializuar

21/04/2021 17:53

Një masakër ka ndodhur 100 metra larg zyrës elektorale të lagjes nr.5 të qytetit, ku është qëlluar për vdekje Pjerin Xhuvani.

Autori për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan mësohet se është, Arbër Paplekaj, ish-efektiv i RENEAS, shoqërues i Gazment Bardhit.

Nga të shtënat sot  kanë mbetur edhe 4 të plagosur, dy prej të cilëve janë nisur drejt Tiranës për mjekim më të specializuar, Emiljan Prenga 38 vjeç dhe Pavlo Vuksani 50 vjeç.

Top Channel ka siguruar foton ekskluzive nga momenti i vrasjes së Pjerin Xhuvanit.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se personi që qëlloi është Arbër Papleka, një nga shoqëruesit e demokratit Gazmend Bardhi, i cili është konfliktuar me policët dhe ka qëlluar në turmë.

Si pasojë ai ka vrarë Xhuvanin dhe ka plagosur 4 të tjerë. Një police, Xhensila Sota si dhe dhëndrin e Xhuvanit, Eltjon Bodinaku. i cili është në gjendje të rëndë.

Të plagosurit: Emiljan Prenga ,Pavlo Fran Vuksani , Eltjon Bodinaku, Xhensila Sota.

Informacionet paraprake thonë se ngjarja ka ndodhur pranë zyrave të PD në Elbasan. Ndërkohë që vetëm pak më parë është larguar nga vendngjarja Gazmend Bardhi i PD.

Ndërkohë që sipas PD një mjet kishte nisur të qarkullonte në zonë dhe ofronte para në këmbim të votave. Ky dyshohet të ketë qenë edhe shkaku i ekzekutimit të tij.

Viktima, Pjerin Xhuvani

Viktima nuk është një emër i panjohur, pasi ai është përfolur edhe në sherrin e ditës së verës. Pjerin Xhuvanin ishte i përshirë në përplasjen në Elbasan, Ditën e Verës, mes militantëve të PS dhe PD. Në atë kohë opozita akuzoi mbështetësit e Ramës që dhunuan qytetarët ishin eksponentë të krimit të organizuar dhe se atë ditë ishin edhe të armatosur. Xhuvani ka qenë më parë dhe ish zyrtar i LSI-së.

Kjo ngjarje e rëndë ndodh vetëm pak ditë para zgjedhjeve.

Top Channel