Plagosja në PD-në e Kavajës/ Rama: Autori s’ka lidhje me PS është militant i PD! Meta: Bablok, shqiptarët e dinë mirë ku kurdisesh ti për…

20/04/2021 09:57

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i është përgjigjur sërish kryeministrit, Edi Rama, pasi ky i fundit tha se autori i plagosjes së sekretarit të PD-së në Berat nuk është me PS, por simpatizant i PD-së.

Teksa ka publikuar një foto, të cilën më herët e nxori edhe PD, Meta i kërkon shokëve socialistë ‘që të lidhin të marrin përpara se të ketë fatin e furgonit në Berat’.

Më tej Kreu i Shtetit i është drejtuar Ramës duke thënë se ai shqiptarët e dinë shumë mirë se ku kurdiset kryeministri i Shqipërisë për të përçarë shqiptarët në Shqipëri dhe rajon.

Reagimi i Metës:

Lidheni të Marrin shokë socialistë përpara se të ketë fatin e furgonit në Berat. Pse Meta u tha tre banditëve të “Rilindjes” të hynin në zyrën elektorale të PD dhe të qëllonin me armë Sekretarin demokrat? Me kë janë në këtë foto këta të katërt?

Me Metën apo me Kryebashkiakun e emëruar rilindas të Kavajës dhe shtabin e tij elektoral? Pse Meta e porositi Damjanin publikisht të përsërisë “tërmetin” e Dibrës në Vlorë? Pse Meta emëroi një ushtri patronazhistësh për të survejuar e shantazhuar 900 mijë qytetarë të Qarkut Tiranë?

Kush e prishi Marrëveshjen e 5 Qershorit nga tmerri i zgjedhjeve të lira?

Bablok, shqiptarët e dine shumë mirë se ku kurdisesh ti për t’i përçarë shqiptarët në Shqipëri dhe rajon. Me qetësi dhe vendosmëri do e marrësh përgjigjen më 25 Prill nga të gjithë shqiptarët patriotë dhe europianë. Dhe në radhë të parë nga socialistët, që u shkatërrove çdo vlerë pozitive dhe njerëzore.

Unë do shkoj në shtëpi kur ti të shkosh në psikiatri!

Shqipëria e shqiptarëve! Shqipëria në Bashkimin Europian!

Pas 25 Prillit kjo rrugë nuk ndalet më asnjë sekondë!

Më herët, Rama tha se autori nuk ka lidhje me PS-në, por përkundrazi ai është militant i PD-së.

Rama shton se në lidhje me këtë ngjarje PD nuk ka asnjë faj, ndërsa ia ngarkon përgjegjësinë demokratëve në faktin e politizimit të ngjarjes.

Po ashtu kreu i qeverisë i ka bërë sërish thirrje kryedemokratit, Lulzim Basha që të distancohet nga Meta, Berisha, Saliu dhe Kryemadhi: “Lulëzim bëhu burrë, ndahu nga Iliri e Saliu, boll bëre kukullën e të paudhëve pa din e iman!”

Postimi i potë:

Është krejt e qartë që ngjarja e Kavajës s’ka asnjë motiv politik!Autori s’ka asnjë lidhje me PS, përkundrazi është militant i PD! PD s’ka faj për ngjarjen po për politizimin skandaloz! Lulëzim bëhu burrë, ndahu nga Iliri e Saliu, boll bëre kukullën e të paudhëve pa din e iman!

Ndërkohë edhe drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pas incidentit për një vend parkimi mbrëmjen e djeshme në Kavajë.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj thekson se si Sali Berisha ashtu edhe Ilir Meta nuk e mbajnë dot më peng Kavajën.

“Saliu e Iliri s’e mbajnë dot më peng Kavajën. Dëshpërimi i humbjes të shtyn të trajtosh çdo konflikt banal rrugësh si Vaterlo fatale! Grow up”, shkruan Veliaj.

Ndërkohë që Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, se ngjarja një Kavajë nuk ishte sulm politik dhe aq më shumë që autorët të ishin eksponentë të PS-së.

Në një foto të publikuar nga PD, shihet se autori Ndriçim Jonuzi është nënë shoqërinë e kryebashkiakut të Kavajës, Redjan Krali, shefit të policisë Bashkiake, Markel Shtylla dhe polici bashkiak Dorian Troplini.

Deklarata e plotë:

Edi Rama merret me gënjeshtra dhe manipulime ndërkohë që dhunuesit nuk janë arrestuar akoma! Asnjë gënjeshtër nuk e ndihmon dot Ramën, sepse të gjitha faktet dëshmojnë se sulmuesit e djeshëm janë njerëzit e tij dhe kanë vepruar me qëllim. Ky është një sulm kriminal kundër demokracisë sonë nga një njeri që tashmë e di se do t’i humbe zgjedhjet. Të dielën ne do të fitojmë dhe do të sjellim ndryshimin, për të cilin Shqipëria ka nevojë!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka thënë dje se ngjarja e rëndë në Kavajë, ku një simpatizant i PD-së është plagosur me armë zjarri brenda selisë blu është një ngjarje e organizuar nga shtabi elektoral i Rilindjes në këtë qytet.

Kreu i Shtetit ka paralajmëruar socialistët apo ‘rilindasit’ siç i quan ai ndryshe, që t’i bëjnë thirrje përkrahësve të tyre që të mos përfshihen në krime zgjedhore, pasi mund të rezultojë fatale për ata që e frymëzojnë atë.

Meta: Është organizuar nga shtabi elektoral i Rilindjes në Kavajë. Nuk është e rastësishme. Ajo që ka ndodhur sot në Kavajë duhet të jetë ngjarja e fundit e dhunshme, kriminale dhe që derdh gjak shqiptari të pafajshëm për qëllime elektorale të Rilindjes dhe me qëllim frikësimin e opozitës. Historia e zgjedhjeve të Shijakut dhe të Dibrës ka mbaruar.

Duhet të reflektojnë para se të jetë vonë për ta, se Shqipëria në 25 prill do ta thotë fjalën e saj me qetësi dhe vendosmëri të pashoqe.

Është moment historik për vendin dhe projektorët e të gjithë botës tani do të vendosen këtu dhe ngjarje të tilla do të rrënonin imazhin e vendit në planin ndërkombëtar, që edhe tani është copë-copë.

Të gjithë duhet t’i bëjnë apel përkrahësve të tyre që të mos përfshihen në krime zgjedhore dhe njëkohësisht jemi në një moment kur çdo përpjeje për të përshkallëzuar dhunën mund të rezultojë në fatale për ata që e frymëzojnë atë.

Top Channel