Akuza ndaj Gonxhes/ Rama: Vëllai i përfitoi 400 mln lekë kur drejtonte koncesionin e kolaudimit. Kryemadhi publikon pagën e vëllait

20/04/2021 13:22

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar pas deklaratës së kryeminisrit Edi Rama, se në kohën që vëllai i saj ishte në krye të kolaudimit ka përfituar 400 milionë lekë.

Në një postim në facebook, Kryemadhi ka bërë publike pagën e vëllait të saj dhe thotë se vëllai i saj ka qenë një ndër inxhinierët, që ka bërë hartimin e Kodit të parë Rrugor për Republikën e Shqipërisë, në vitin 1998, të cilin Shqipëria e përdor edhe sot.

Më tej Kryemadhi shton “Drini si inxhinier që është, është shumë racional. Do fitoka dhe një shpërblim tjetër prej shpifjeve të tua dhe të Gonxhes.”

Postimi i plotë:

Kjo është paga e vëllait tim.

Dhe mbi këtë pagë ke mbajtur edhe taksën mbi pagën, siç ke taksuar çdo profesionist tjetër të shtresës së mesme, që çdo ditë po pakësohen në vend.

Drini Kryemadhi është inxhinier mekanik, i vërtetë, jo si injorantët që ke punësuar në administratë, si fuksa sigurimi.

Drini Kryemadhi ka qenë një ndër inxhinierët, që ka bërë hartimin e Kodit të parë Rrugor për Republikën e Shqipërisë, në vitin 1998. Sot e 20 vjet më vonë, Shqipëria punon me të njëjtin Kod Rrugor të atyre ekspertëve të nderuar.

Në punën që ti i permend, ai është punësuar nga kompania Zviceriane, që ti e përzure për t’ja bërë gati një oligarku. Pagat e inxhinierëve janë të larta, pra ai ka marrë 303.709 lekë ose 2450 euro në muaj. 

Por, ti se llogjikon dot vlerësimin e të aftit, sepse profesionistët e Shqipërisë i degdise rrugëve të Gjermanisë dhe të botës, e në vend të inxhinierëve mekanik ti merr inxhinier sufllaqesh.

Më vjen mirë për Drinin. Si inxhinier që është, është shumë racional. Do fitoka dhe një shpërblim tjetër prej shpifjeve të tua dhe të Gonxhes.

Komento pagën 10 milionë lekë në muaj të pensionistit, babit të Alqit, që merr te inceneratori. E di vetë ti.

Më herët kryeministri Edi Rama përmes një fotomontazhi ku kishte bashkuar pjesë të fjalimit të Metës dhe kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, ka thënë se vëllai i kësaj të fundit, Drini Kryemadhi kur drejtonte koncesionin e kolaudimit fitoi 400 mln lekë.

Zbardhja e videos:

“Ja videoja e Blendi Gonxhes që Iliri nuk e shfaqi dje mes “fakteve” të konferencës së tij”, tha Rama.

“Si shushunja pinë çdo ditë gjakun e popullit tonë me koncesione të frikshme të PPP-ve”, tha Ilir Meta.

“Koha kur vëllai i Monikës dhe kunati i Ilirit drejtonte koncesionin e kolaudimit”, shkruan Rama në video.

”Por çfarë fitoi Shqipëria që të fitonte Drini Kryemadhi?”, shkruan Rama.

“Çdo qytetar që fut dorën në xhepin e buxhtetit të shtetit jo të dënohet por të marrë përgjegjësinë më të madhe se boll ky popull ka vuajtur”, tha Kryemadhi.

“400 mln lekë ka përfituar Drini Kryemadhi”, shkruan Rama.

“Prandaj jemi këtu sot se të gjithë fusin duart e s’mban asnjë njeri përgjegjësi”, tha Kryemadhi.

Kujtojmë se meta një ditë më parë bëri publik një prej mesazheve të Erion Manes, i cili është një prej biznesmenëve që i është drejtuar presidencës për shkak të problemit që pati me Autoritetet Rrugore dhe përgjigjes që mori nga Blendi Gonxhe, drejtori i përgjithshëm i DPSHTRR.

Top Channel