Rama: Korça nuk është shamia për hundët e Saliut, as për jargët e Metës, as për pështymat e Kryemadhit

19/04/2021 20:01

Kryeministri Rama zhvilloi një takim elektoral në qytetin e Korçës këtë të hënë.

Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Korçës tha se nëse nëse fitojnë 7 mandate në Korçë do të ndërtojnë një stadium të ri në Korçë.

‘Po na dhatë 7 mandate stadiumi i ri i Korçës do të jetë një tjetër gurë që do ti shtohet diagramit të të gjitha punëve të mira që janë bërë. Në katër vitet e ardhshme, pavarësisht se këtu kemi krijuar shumë xhelozi lart e poshtë, por unë ju jap fjalën se do të bëjmë për Korçën me të gjitha vitet të marra së bashku, që do të bëjmë më shumë.’- tha Rama.

Po ashtu kryeministri Rama ironizoi edhe kundërshtarët e tij politikë:

“Imagjinoni motrat Qirjazi duke votuar për Saliun! Imagjinoni Petronin Luarasi duke votuar për Monikën. Dha jetën për gjuhën shqipe e të votojë për Monikën që e mban jashtë gjithë kohës gjuhën. Le të çohet demokrati më i flaktë me kusht të jetë qytetarë dhe të më thotë si mund ta diskutoni ju, kujt do ja lini ju Korçën e të gjithë heronjve, jo vetëm të mendimit dhe historisë por të gjithë simboleve të elegancës, do ta lini në dorën e jargëve të PD, se lëre atë partinë tjetër se ajo është qamet.

Korça nuk mund të bëhet shami për të fshirë qyret e partive në Tiranë. Korça është ‘yhy’, nuk është shamia për hundët e Saliut, as për jargët e Ilir Metës, as për pështymat e Kryemadhit. Mbase jam i ashpër, por më mirë kështu troç, ajo që po bëjmë është diçka jo se ne jemi më të mirët që mund të gjendeshim në këtë tonë, por nuk ka tjetër.

Top Channel