Prokurori Karanxha drejt shkarkimit?/ Për milionat e mbajtura në shtëpi, Vettingu shkarkoi bashkëshorten

14/04/2021 15:04

Shumë gjyqtarë e prokurorë gjatë Vettingut janë justifikuar për pasuritë e tyre me kursimet e partnerëve.

Kështu veproi edhe gjyqtarja e shkarkuar nga Vettingu Bernina Kondi e cila u mbrojt se në rastin e blerjes së një shtëpie, veç kredisë kishte përdorur paratë cash të të shoqit, Ervin Karanxha , një prokuror që gjatë gjithë karrierës së tij ka qenë i emëruar prokuror në Kryeqytet. Por paratë e bashkëshortit prokuror u panë me pikëpyetje nga komisioni i Vettingut  dhe ndërkohë po kontrollohet dhe që siç duket do ngelë në Vetting.

Por çfarë thonë deklaratat e pasurive të Ervin Karanxhës , pas të cilave ish-gjyqtarja nuk u justifikua dot? Menjëherë sapo mori detyrën e prokurorit në vitin 2003, brenda pak kohësh paratë cash të  Ervin Karanxhës dhe familjarëve të tij janë shumëfishuar. Në vitin e parë në detyrë konkretisht për 2003 kohë në të cilën është emëruar si prokuror në Tirane, Karanxha tregon se nga ai dhe familja e tij zotëronin vetëm 4 mijë dollarë likuiditet në shtëpi. Por një vit më vonë ai tregon se kjo shumë ka shkuar në 6 mijë dollarë, ndërsa kujtohet që ka pasuri dhe i ati i cili sipas prokurorit  zotëronte në këtë vit 35 mije dollarë cash.

Vit pas viti Karanxha deklaron në formularët e ILDKPI vetëm paratë cash që mban në shtëpi, ndërsa nuk deklaron depozitat bankare ne tre banka me vlerë nga gati 10 mijë dollarë secila. Ky fakt ka dalë në vendimin e shkarkimit të bashkëshortes së tij, Bernina Kondi e cila ngeli nga Vettingu për shkak të mos justifikimit të pasurive. Bashkëshortja e prokurorit , i cili vazhdon  detyrën derisa ta thërrasë vettingu i shkallës së parë ,  justifikohet se ka blerë shtëpi përmes kredive bankare , kursimeve të të afërmeve dhe borxheve. Por nga hetimi i Vettingut rezultoi se borxhdhënësja që në këtë rast është vajza e tezes së ish gjyqtares , gjendej  në pamundësi financiare pasi edhe ajo kishte marrë kredi . Krahas kësaj gjetjeje, edhe paratë cash në shtëpinë e çiftit Karanxha vlerësohen të dyshimta  sidomos ne analizën financiare të vitit 2010 që nga pretendimet e Bernina Kondit , kursimet e çiftit në shtëpi kishin shkuar 35 milionë lekë të vjetra , prej të cilave 25 i përkisnin bashkëshortit dhe nga pesë milionë i kurseu secili për një vit.

Krahas pamundësisë financiare të çiftit, komisioni i pavarur i kualifikimit konsideron fiktive veprimet për marrjen e një kredie të butë gjatë kohës që Bernina Kondi ishte gjyqtare në Berat. Gjatë vendimit për shkarkimin nga detyra të gruas së prokurorit shtohet se në analizë të justifikimeve  të ish gjyqtares se pasuritë e bashkëshortit të saj janë krijuar para lidhjes martesore, trupa kujton se bashkëshorti pra prokurori Karanxha është pjesë e procesit të rivlerësimit  nga një trupë tjetër gjykuese.

Por që është e qartë se nga gjetjet që sillen si fakte në seancën ndaj Bernina Kondit e shkarkuar, edhe i shoqi prokuror do të ketë të njëjtin fat. Karanxhat, ashtu si shumë njerëz të tjerë të Drejtësisë, e dinë se së shpejti nuk do kenë më mundësi të qëndrojnë brenda sistemit të Drejtësisë. Edhe në raste të tjera, ky moment pritje ka shërbyer për të bërë goditjen e fundit. Vendime për ndere politike, apo përfitime financiare rëndom janë quajtur edhe nga kryeministri si gramat e fundit të grupit Kap ça të kapësh.

Top Channel